Bëri një tjetër ndeshje të mirë, protagonist absolut në golin e dytë, por Neymar është në telashe. Këtë herë sulmuesi ka shkelur protokollin e COVID-19 që ndalon shkëmbimin e fanellave në fund të ndeshjes.
Këtij vesi të zakonshëm në futboll, nuk ka mundur t’i shmanget braziliani, i cili ia dhuroi bluzën e tij Halstenberg, me këtë të fundit që bëri të njëjtën gjë me fanellën e tij.
Por, sipas tabloidit anglez, “The Sun” ky gjest ka vënë në rrezik pjesëmarrjen e Nejmar në finale duke e cilësuar si një veprim që mund të sjellë masën ekstreme nga ana e UEFA. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë indikacion nga ana e institucionit se kjo do të sjellë përjashtimin e sulmuesit.
Nuk dihet nëse UEFA do të mbyllë një sy dhe ndoshta mund ta kalojë me një gjobë veprimin e brazilianit. Mungesa e tij në finale të Champions League do të ndikonte shumë për PSG, që sonte pret fituesin e ciftit Bayern Munchen-Lyon, ku natyrisht parizienët bëjnë tifo për patriotët e tyre.