MENU
klinika

Tensionet me Turqinë/ Greqia shpresat te BE

‘Le Monde’: Erdogan s’do heqë dorë nga qëllimet e tij!

22.08.2020 - 19:17

Zbulimi i rezervave të Gazit në Detin e Zi, nuk do të jetë fundi i kërkimit, por thjesht fillimi, u shpreh presidenti turk Rexhep Taip Erdogan gjatë konferencës që ai e quajt i historike për Turqinë Moderne ditën e djeshme. Të njëjtin mendim ndan edhe korrespondentja e “Le Monde”, Marina Rafenberg, në një intervistë për një nga mediat shqiptare.

Koha nuk ka shërbyer si kurë për plagët e vjetra mes dy vendeve sipas gazetares së “Le Monde”, për të cilën tensionet po arrijnë fazën më të lartë.

Në një situatë të tillë të dyja palët duhet të jenë të hapur për dialog, për të diskutuar në tavolinë dhe jo në det kufijtë detarë.

Rafenberg, shprehet se media franceze dhe evropiane ka shprehur qëndrimin e saj pro qeverisë greke. Megjithatë si ajo si qeveria Mitzotakis e shohin zgjidhjen e konflikteve me ndërhyrjen e BE, sepse SHBA nuk marrin pozicion kundër Erdoganit.

Intervista e plotë
Gazetarja: Marine shumë faleminderit që pranuat të zhvillonit këtë intervistë.

Marine: Faleminderit shumë.

Gazetarja: Marinë a do të mund të na jepnit më shumë informacione për situatën në Mesdheun Lindor? Si është perceptuar situata në Greqi dhe në Francë, ku ti punon si korrespondente?

Marine: Duke filluar nga data 10 gusht, ushtria turke ka dërguar anije kërkimore përreth ishujve grek, afër Castellerizio dhe po ashtu përreth Republikës së Qipros. Veprime të tilla të ushtrisë turke për të zhvilluar kërkime në zonë, ku mendohet se ka rezerva të mëdha nafte dhe gazi, perceptohen si kërcënime nga ana e qeverisë greke. Për këtë arsye qeveria greke reagoi dhe u shpreh se nuk mund të bëni gjë të tillë në zonën tonë detare dhe nuk mund të na kërcënoni më.

Gazetarja: Më ke thënë më parë se ti ke punuar si korrespondente e prestigjiozes Le Monde. Si është perceptuar kjo situatë në median franceze? Sepse jemi dëshmitarë të disa situatave që qeveria franceze ka treguar mbështetje madje ka dërguar edhe forca ushtarake për të mbështetur qeverinë greke në zonën e Mesdheut Lindor.

Marine: Në fakt media franceze është tejet suportive me Greqinë, veçanërisht pas deklaratave të presidentit francez Macron se do të mbështesnin Greqinë dhe dërguan disa anije për të mbështetur ushtrinë greke, anije të cilat do të qëndrojnë përballë anije turke në zonën e Mesdheut Lindor. Media franceze është pro faktit për të ndihmuar Greqinë, sepse veprimet e Turqisë kërcënojnë të gjithë Evropën jo vetëm ata, kërcënon kufijtë evropianë jo vetëm ata grek.

Gazetarja: Ditën e djeshme presidenti turk Rexhep Taip Erdogan , bëri një deklaratë, e konsideruar si deklaratë më e rëndësishme në historinë moderne të Turqisë, ku ai deklaroi se ka gjetur 320 miliardë metra kub rezerva gazi natyror në Detin e Zi. Si u perceptua ky lajm në median evropiane dhe atë greke? Si perceptohet kjo gjë ? A shihet kjo si një shenjë që qeveria turke do të tërhiqet nga Mesdheu duke qenë se tanimë ka gjetur një burim tjetër në Detin e Zi? Apo shihet si një shtysë më e madhe për të vazhduar kërkimet në Mesdhe?

Marine: Pala greke është treguar tejet e kujdesshme pas kësaj shpallje dhe nuk mendojnë se gjerat do të përmirësohen pas atij zbulimi. Ata janë ende të shqetësuar për anijet në këto zona. Pas lajmit të djeshëm pala greke ka arritur të kuptojë se qeveria turke është e gatshme të bëjëçdo gjë për të siguruar burime të shumta nafte dhe gazi. Sepse sic e dimë momentalisht Turqia është e varur nga gazi që vjen nga Rusia dhe duan të jenë të pavarur. Kjo gjë tregon se Turqia do të bënteçdo gjë për të siguruar pavarësinë e saj në burimet e gazit. Gjetja e burimeve të gazit në Detin e Zi nuk do të thotë se ata do të ndalojnë së kërkuari.

Gazetarja: Shumë njerëz, veçanërisht disa gazetarë kanë luajtur shumë me kartën që mund të ketë një luftë të mundshme mes dy vendeve, veçanërisht pas rritjes së vazhdueshme të tensioneve. Duhet përmendur se këto nuk janë incidentet e para mes palëve, në fillim të këtij viti kemi parë krizën e emigrantëve në kufi apo edhe kriza të tjera të cilat nuk gjetën zgjidhje prej shekujsh të tilla si kriza me Qipron e cila vazhdon prej viteve 70. A mendoni se kjo çështje po trajtohet si duhet në media? Si duhet ta trajtojmë atë?

Marine: Është e vërtet, mes Greqisë dhe Turqisë ka patur tensione të vazhdueshme. Ajo që duhet theksuar është se tensionet mes palëve tani janë në një nivel të lartë. Që prej vitit 2016 tensionet mes dy palëve janë rritur vazhdimisht. Në 2016 pas grushtit të shtetit të bërë kundër Erdoganit, shumë ushtarë turq dhe gylenistë u dëbuan nga vendi, të cilët më pas kërkuan azil në Greqi. Që atëherë situata mes dy vendeve situata është tejet e tensionuar. Gjithashtu që prej zbulimit të rezervave të gazit në këto zona, zonën e Mesdheut Lindor, tensionet mes palëve janë rritur dukshëm.

Gazetarja: Sipas mendimit tënd, çfarë veprimesh duhen ndërmarrë? Duke qenë se je edhe në brendësi të situatës. Çfarë veprimi pritet nga pala greke dhe ajo turke?

Marine: Mendoj se të dyja palët do të donin të dialogonin, do të donin të diskutonin në lidhje me kufijtë detarë. Sepse siç e dimë të gjithë nuk ka pasur ende një marrëveshje mes Greqisë dhe Turqisë sa u përket kufijve detarë. Mendoj se të dyja palët do të donin të dialogonin dhe të gjenin një zgjidhje për sa I përket kësaj çështje. Ndryshimi i vetëm është se pala greke shprehet se nuk do të ulemi për negociata sa kohë ju na kërcënoni. Sa kohë ka anija në Turke në zonë, të cilat na kërcënojnë vazhdimisht ne mund të negociojmë me ju. Faktikisht, të dyja palët duhet të bëjnë lëshime për të arritur tek një marrëveshje e duhur. Në të kundërt qeveria greke kërcënon të marrë masa, të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë për të marrë një vendim sa u takon kufijve.

Gazetarja: Oruc Reis, anija e parë turke e dërguara në zonë është pothuajse në përfundim të misionit të saj. Pas kësaj qeveria turke deklaroi se një anije tjetër do të dërgohet në zonë. Si është pritur një njoftim I tillë? Sepse pas njoftimit të dytë të qeverisë turke, ka reaguar departamenti amerikan i shtetit , i cili i ka tërhequr vëmendjen qeverisë amerikane duke thënë mjaft me këto ndërhyrje dhe që duhet të tërhiqen mbrapsht. Si po perceptohet kjo situatë kur në njërën anë shteti amerikan është në krah me qeverinë greke dhe në anën tjetër presidenti amerikan Trump shprehet se është mik me presidentin Erdogan, pasi ai është i vetmi person që realisht e dëgjon?

Marine: Në fakt ajo që mund të kuptohet tani është se janë shumë të lumtur me pozicionimin e qeverisë franceze. Por jo edhe aq me reagimin amerikan, pasi ata nuk kanë mbajtur një qëndrim të prerë në lidhje me këtë situatë. Qeveria greke ka qenë gjithmonë tejet miqësore dhe pro-amerikane. Por administrata Trump është shumë miqësore me Erdoganin dhe kjo nuk shihet me sy të mirë, prandaj ne shpresojmë më shumë nga Bashkimi Europian. Këtu perceptohet se Erdogan po i ndërmerr gjithë këto nisma sepse ai ka ndihmën dhe mbështetjen SHBA. Por nëse në zgjedhjet presidenciale në SHBA do të ketë një ndryshim, atëherë shpresojmë që administrata e re do të jetë më mbështetëse ndaj Greqisë dhe me strikte ndaj qeverisë Turke.

Gazetarja: Shumë faleminderit Marina, kemi arritur në fund të kësaj bisede. Faleminderit që ndave idetë e tua me ne dhe le të shpresojmë që kjo situatë do të zgjidhet shpejt.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN