Radhë të gjata janë krijuar këtë mëngjes të diele në Rrugën e Kombit. Shkak është bërë fluksi i automjeteve në aksin Morinë- Kukës, ku të shumtit janë pushuesë nga Kosova që shfrytëzojnë të dielën për të pushuar në bregdetin shqiptar.
Mësohet se në Urën e Drinit ka më shumë trafik për shkak të rrezes së ngushtë të rrugës, por ndërkohë trafiku shoqëron gjithë rrugën. Edhe këtë fundjavë pushuesit nga Kosova nuk janë ndalur as nga COVID-19 dhe as nga paralajmërimi për masa shtrënguese në vendin e tyre, duke iu drejtuar bregdetit shqiptar për të pushuar. Destinacionet më të preferuara për ta janë Durrësi e Shëngjini.
Edhe në pikën e kalimit kufitar te Qafë Thanës ka patur hyrje të shumta nga Maqedoni e Veriut në drejtim të vendit tonë.
Fluksi i udhëtarëve ka ardhur si shkak i dyndjeve të shumta të turistëve shqipetarë por edhe të huaj të cilët kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën në bregdetin shqiptar.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit bëjnë të ditur se fluksi i udhëtareve ka qënë i lartë edhe mëngjesin e kësaj të djele ku prej orëve të para të mëngjesit kanë hyrë më shumë se 3000 udhëtare përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës.
Në dy ditët e fundit kanë hyrë dhe kanë dalë më shumë se 12 mijë shtetas shqiptarë të Maqedonisë së veriut por edhë të huaj.
Ndërkohë për të perballuar këtë fluks mjaftueshëm të lartë burime pranë kësaj pike bëjnë të ditur se po punohet me 6 sportele nga pala shqipëtare,4 në hyrje dhe 2 në dalje ndërsa nga pala maqedonsase punohet me 5 të tilla.