Finalja e Champions League ka dhuruar emocione në pjesën e parë. Ndoshta kanë munguar golat, por rastet, sulmuet dhe kundërsulmet ishin të shumta për të dyja skuadrat.
Ishin francezët që rrezikuan të parët me Mbappe, por dy goditjet e tij u ndalën nga mbrojtësit gjermanë. Pastaj Bayerni afrohet golit me Lewandowskin, teksa godet i sigurtë, por topi godet shtyllën pingule, me Navas të mundur!
Më pas është një kundërsulm i PSG-së, me Neymar që del i vetëm përballë Neuer. Portieri gjerman pret të dyja gjuajtjet. Tri minuta më pas është Di Maria që gabon në zonë. Kundërpërgjigjet Lewandowski me kokë, por fatmirësisht Navas është në pozicion.
Ndeshja pati ritëm të jashtëzakonshëm në 45 minutat, me topin që qarkullonte pa pushim, Bayern e mbajti 60%, por gjithsesi, goli mungoi te të dy kampet, për të lënë gjithcka të hapur në pjesën e dytë.