MENU
klinika

Nga Mentor Kikia

A ka Shqipëria një klasë intelektuale?

25.08.2020 - 09:43

Intelektual nuk është çdo kush që ka një diplomë, aq më shumë nga këto diplomat e “sotit”. Intelektualë janë njerëzit, që në momente të caktuara shërbejnë si udhërrëfyes të shoqërisë, apo që e orientojnë atë drejt ndryshimeve të mëdha. Janë njerëz me autoritet publik dhe shoqëror.

Por a ka Shqipëria një shtresë intelektuale që të mund të përmbushë këtë mision? E bëra këtë pyetje ndërsa rilexova edhe njëherë ditët e fundit procesverbalin e mbledhjes që Ramiz Alia bëri me intelektualët në gusht 1990. Muri i komunizmi kishte rënë me shpërthimin e ambasadave.

Në Lindje ishte shembur çdo gjë dhe çifti Çaushesku ishte pushkatuar. Ramiz Alia, udhëheqësi i fundit komunist, mblodhi intelektualët më në zë të kohës, dhe u kërkoi mendim nëse duhej apo jo Shqipëria të ndryshonte sistemin politik dhe ti hapte rrugë demokracisë.

A e dini se cili ishte më përparimtari në mendime në atë sallë?

Vetë Ramiz Alia!

Sali Berisha, që katër muaj më vonë do të merrte flamurin e revolucionarit, thoshte se nuk ka ardhur koha për pluralizëm politik. Kadareja bënte sikur nuk e kuptonte çdo të thoshte pluralizëm…Ishte edhe Fatos Nano aty…

Ai që e kuptonte më mirë, se historia kishte mbaruar ishte vetë mëkëmbësi i diktatorit, por ai nuk donte ta shembte vetë.

Koha tregoi se ne nuk e rrëzuam, as e shembëm, as e shkatërruam komunizmin, thjeshtë zëvendësuam udhëheqësinë, sipas një skenari që e vujamë ende dhe sot.

Po sot a kemi ne një klasë intelektualësh të atij kalibri, që të mund të tregojë me gisht nga duhet të ecë një shoqëri e ndodhur në udhëkryq? Nevojën e kemi për të na rrëfyer, por njerëzit druaj që jo?

Shoqëria është sot peng i një klase politike, pjellë e asaj mbledhjeje, që bën vetëm rrotacionin mes vetes, duke ricikluar një kastë njerëzish të korruptuar me një kastë, gjasme, më pak të korruptuar.

Shoqëria është drejt brrerjes fatale nga largimi i njerëzve, dhe në pamundësi të ikjes, nga indiferentimizi fatal mbi atë që ndodh në vendin e saj.

Mendoj se nuk ka fund më të keq për një shoqëri, se sa kur njerëzit i janë dorëzuar bindjes se ata nuk mund ta ndryshojnë më fatin e tyre.