MENU
klinika

Kadare mbi gjuhën standarde

“Gegërishtja traditë më e vjetër, toskërishtja nuk u gjet në rrugë”

25.08.2020 - 12:03

      Shkrimtari bashkohor më në zë, në mbarë botën, Kadare, sigurisht që ka qëndrimin e tij të arguemntuar mbi standardin e shqipes. Në një intervistë për revistën “Hylli i Dritës”, ai ka analizuar gjuhën standarde, duke sjellë shpjegimin për secilin prej dy dialekteve bazë.

Kadareja shprehet se, si toskërishtja dhe gëgërishtja janë barazisht të ligjshme, për të qenë gjuha standarde, duke e arsyetuar: “Në shekullin XX Shqipëria u gjend me dy tradita shkrimi. Të dyja të fuqishme, me vlerat, me përparësitë dhe mungesat e secilës në raport me tjetrën. Gegërishtja kishte një traditë shkrimi me të vjetër, me një plejadë shkrimtarësh të shkëlqyer, toskërishtja kishte një kristalizim më të fortë, çka bënte që, qysh prej një shekulli (gjuha e Naim Frashërit), të ngjante moderne. Nga të dyja traditat, do të zgjidhej standardi. Si kudo në Evropë. Të dyja traditat ishin barazisht të ligjshme.

Toskërishtja nuk u gjet në rrugë, për t’u vendosur dhunshëm në bazë të standardit. Ajo kishte shanset të vendosej edhe sikur Shqipëria, më 1972, të ishte monarki. Ashtu siç kishte shans gegërishtja me çfarëdolloj regjimi…”

Sonte me fletoret lashë mënjanë

Priftët e ngrysur që shfletoj çdo natë:

Buzukun, Budin, Bardhin e Bogdanë.

Mbi grushte kokën ç`e mbështeta gjatë…

Më falni o të vjetër famulltarë,

Tani që shndriti hëna plot mendime;

Në shqip unë nipi juaj, disa radhë

do të shkruaj për të parën miken time

Kadare, 1957

– Me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, gegnishtja doli e thyeme brinjsh dhe pak nga pak u ndalue shkrimi dhe përdorimi i saj në letërsi dhe në publicistikë, në radio dhe në televizion. U lejue përdorimi i saj vetëm në funksion të një koloriti lokal, ma së shumti me vlerë negative, si të thuesh nji e folun që karakterizonte personazhet negative, reaksionare. A mendoni se Kongresi i vitit 1972 ka ba nji padrejtësi ndaj giuhës shqipe, tue lanë jashta sintezës giuhsore elemente të randësishme të gegnishtes në fonetikë, morfologji, leksik?

– Mendoj, pa qenë krejt i sigurt, se Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972 i vihet një rëndësi që e tejkalon atë. Kjo më ka shtyrë të besoj se gjithçka është kryer që më parë dhe ky Kongres është bërë i famshëm, pa qenë vërtet i tillë. Pyetja ime disa herë ka qenë: a ishte vërtet kaq i fortë regjimi shqiptar, sa të ndryshonte gjuhën? Mendoj se ky regjim, përballë gjuhës shqipe, ishte i dobët si një thnegël. Ai mund të ndalonte vepra, të burgoste shkrimtarë, të pushkatonte një frat katolik, ngaqë pagëzoi një fëmijë, me formulën e pagëzimit, që është dhe fraza e parë e shkruar e gjuhës shqipe, por më tutje nuk shkonte dot.

Mendoj se çështjet që lidhen me standardin dhe gjuhën letrare, kërkojnë kthjelltësi. Nga tepria e pasionit janë thënë e vazhdojnë të thuhen gjëra të paqena, të krijohen mllefe të reja, thua se Shqipëria ka mungesë mllefesh. Shkelja e së vërtetës ka rrjedhoja të rënda, sidomos në kësi rastesh. Ajo nxit ngarkesa shpirtërore të dëmshme, zhvendos pezmin në gjëra të paqena, shkurt, padashur e shton mjegullën e mashtrimit, gjë për të cilën ka aq shumë nevojë një diktaturë e rrëzuar. Në rastin e rrokshëm, krimi komunist zhvendoset në sfera që s‘kanë lidhje me të. Kështu, për shembull, urrejtja e ligjshme kundër tij, përzihet, për çudi, me pjesë të kombit, me krahina, me tradita shkrimi, me dialekte, me besime fetare, me qytete, për të përfunduar, dhe kjo do të ishte më dramatikja, te raportet Shqipëri – Kosovë ose Shqipëri historike – komb shqiptar.

Nga pyetja juaj kuptoj se brezi juaj ka një mungesë njohjeje për saktësinë e asaj që ka ndodhur më 1972. Tejçimi (transmetimi) në mëyrë të pasaktë i ngjarjes ka bërë që te brezi juaj të grumbuIlohet, me të drejtë, një mëri e një trishtim i madh. Ndërkaq, është e admirueshme që ju kërkoni një ndreqje të kësaj pune dhe jo një rrënim të ri. Ndërkohë, dëshiroj t’ju kujtoj se disa vite më parë u kërkua pikërisht ky rrënim. U kërkua prishja e standardit, pa çarë kokën se me çfarë do të zëvendësohej ky standard. Ju e merrni me mend se ç‘do të thoshte që, në shtetin më gërmadhë të Evropës, të shtohej kjo rrënojë e re. Që Shqipëria të mbetej i vetmi vend në Evropë pa standard gjuhësor.

Që Shqipëria e tërë e sprapsi këtë kërkesë, kjo dëshmonte se ky vend dinte ende të dallonte ndërtimtarët nga shkatërrimtarët. Ndërkaq, këta të fundit janë aty, ende të pastigmatizuar nga askush, të gatshëm gjithmonë për të keqen dhe asnjëherë për të mirën.

Ç’ka ndodhur më 1972? U ndalua vërtet tradita gege e shkrimit? U vendos vërtet në themel të gjuhës standarde një traditë që nuk e meritonte? Ndoshta do t’ju zgjojë habi përgjigjja ime se kjo nuk është e vërtetë. Komunizmi shqiptar ka qenë më i lemerishmi në Europë, por ne s’ka pse t’i shtojmë një gjë që nuk e ka berë. Pikërisht kjo gjë, në vend që të bëjë më të besueshme krimet e vërteta, i vë ato në dyshim. Në këtë mënyrë, zelltarät antikomunistë kthehen në mbrojtës të tij.

Në shekullin XX, Shqipëria u gjend me dy tradita shkrimi. Të dyja të fuqishme, me vlerat, me përparësitë dhe mungesat e secilës në raport me tjetrën. Gegërishtja kishte një traditë shkrimi me të vjetër, me një plejadë shkrimtarësh të shkëlqyer, toskërishtja kishte një kristalizim më të fortë, çka bënte që, qysh prej një shekulli (gjuha e Naim Frashërit), të ngjante moderne. Nga të dyja traditat, do të zgjidhej standardi. Si kudo në Europë. Të dyja traditat ishin barazisht të ligjshme. Toskërishtja nuk u gjet në rrugë, për t’u vendosur dhunshëm në bazë të standardit. Ajo kishte shanset të vendosej edhe sikur Shqipëria, më 1972, të ishte monarki. Ashtu siç kishte shans gegërishtja me çfarëdolloj regjimi.

Dihen raportet e standardit me gjuhën letrare. Mund të përkojnë ose jo, gjuha letrare është çështje vetjake e shkrimtarit, bën pjesë në lirinë e krijimit. Standardi, si kudo në Europe, është i detyrueshëm me ligj. Tradita letrare gege nuk u ndalua në Shqipëri. Komunistët mund ta ëndërronin një gjë të tillë, por nuk guxuan kurrë ta bënin.

Si mund të quhej e ndaluar gegërishtja, kur shkrimtari më popullor në vend, më i pranishëm në programet shkollore, më i studiuari, i lavdëruari, i recituari etj etj., ishte një shkrimtar verior, që shkruante shkodranisht, Migjeni? E ç’do të themi për poemën „O moj Shqypni, e mjera Shqypni“ të Pashko Vases, me të cilën rriteshin gjithë vocërrakët e qindra-mijëra nxënësit e Shqipërisë?

Pa përmendur Ndre Mjedën, përkthimet monumentale të krenajave të poezisë botërore, “Iliadës”, “Eneidës”, “Komedisë hyjnore”, e një pjesë e tragjedive greke, të kryera me madhështi në gegërisht? Së fundi, pa përmendur shkrimtarin kryeneç, mikun tim të hershëm, Filip Ndocaj, i cili, në kundërshtim me rrymën dhe kolegët e vet, vazhdoi të shkruante e të botonte gegërisht, pa u penguar dot, gjersa ndërroi jetë pak kohë para rënies së komunizmit. Ne duhet të dimë të vërtetën e asaj që ka ndodhur, jo për të ndryshuar mendim për natyrën e komunizmit në Shqipéri, por për të qenë në paqe me ndërgjegjen tonë. Dhe kryesorja, për të ndrequr atë që mund të ndreqet. Lidhur me Kosovën, kam bindjen se pranimi i standardit, ka qenë, pa dyshim, pozitiv. Por kjo është një temë më vete, që kërkon një anketë më vete.

Ne nuk mund të ndreqim asgjë po të nisemi nga përrallat. për të sjellë veç një shembull përrallash, le të kujtojmë qytetin jugor tä Gjirokastrës. Ky qytet gjendet shpesh në vorbullën e polemikës, duke u lënë të kuptohet se ka luajtur rol kryesor për zgjedhjen e standardit, ngaqë diktatori ka lindur atje. Jam i sigurt që shumë njerëz do të çlirohen nga një bezdi e rëndë, po t’ju them, me përgjegjësi të plotë, si profesionist, se e folmja e Gjirokastrës, ashtu siç është përjetësuar enkas në dy libra të shkrimtares martire, Musine Kokalari, është më larg standardit, sesa shkodranishtja e Koliqit apo e Migjenit, apo e se folmes së Prishtinës, Prizrenit etj.

Jam në një mendje me ju se ky standard është plot mungesa. Që ndaj gegërishtes letrare ka pasur ligësi, bojkot të vazhdueshëm, trysni. Që si shtysë të ngutjes për Kongresin e Drejtshkrimit ka pasur, me siguri, një prapamendim të keq e tinëzar. Që kjo duket haptas në fjalorët e gjuhës shqipe, ku ndaj traditës gege e thesarit të saj ka pasur një shkujdesje e harresë barbare. Megjithatë, kur vjen puna për të zgjedhur midis mohimit të standardit dhe përmirësimit të tij, besoj se shumica dërrmuese është për këtë të fundit.

 

*HYLLI I DRITËS, (përmbledhur në vëllimin XX, Ismail Kadare)

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët