MENU
klinika

Situata e koronavirusit në Europë

Spanja drejt masave drastike, Gjermania “shmang” Francën

25.08.2020 - 17:44

Vrulli i ri i pandemisë koronavirus në Europë nuk po frenohet. Në vetëm 3 ditët e fundit, Spanja ka regjistruar 20 mijë raste të reja me koronavirus, për një total prej më shumë se 400 mijë të prekurish.

I ulët mbetet niveli i vdekshmërisë edhe pse bilanci shkoi 28800 jetë të humbura. Ministria e shëndetësisë në Spanjë paralajmëroi masa drastike në Madrid nëse situata do të përkeqësohet.

Shumica e rasteve të reja janë në kryeqytet dhe ministri, Fernando Simon, nuk përjashtoi mundësinë e një izolimi të ri apo masave të tjera kufizuese për lëvizjen e banorëve.

Përhapja e shpejtë e Covid-19 frikëson edhe Gjermaninë. Qeveria e Berlinit vendosi rajonin e Parisit dhe disa të tjerë në jugun e Francës në listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë dhe u kërkoi gjermanëve që të shmangin udhëtimet drejt këtyre zonave.

Presidenti, Emmanuel Macron, mbajti një mbledhje të këshillit të mbrojtjes ku diskutoi për rritjen e nivelit të qarkullimit të virusit në popullatë.

Zyrtarët e Shëndetësisë e informuan atë se shkaku kryesor janë të rinjtë që nuk respektojnë shumë nga udhëzimet në fuqi si mbajtja e maskës dhe distancimi social.

Edhe Italia vijon të luftojë rritjen e rasteve. Një adoleshente ka shkruar një letër ndërgjegjësimi, e cila është publikuar në gazetat kryesore të vendit fqinj.

Ajo shpjegon historinë e saj se si ishte prekur nga Covid-19 në një festë ditëlindje në një lokal nate dhe pastaj kishte infektuar të gjithë familjen. Tani babai i 20-vjeçares është në terapi intensive në gjendje të rëndë.