MENU
klinika

"Vepra e saj, sot më shumë se kurrë frymëzim"

Meta kujton 110-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës: Të udhëhiqemi me porositë e saj…

26.08.2020 - 08:37

26 gushti është një ditë e rëndësishme për shqiptarët! Si sot, 110 vite me parë, lindi Shën Nënë Tereza, një nga personalitetet më të njohura shqiptare në gjithë botën. Gruaja e shenjtë që arriti të fitonte edhe çmimin “Nobel për Paqe”, prehet në paqe që prej datës 5 shtator 1997.

Goxhe Bojaxhiu lindi në Shkup të Shqipërisë. Edhe sot, pas 110 vitesh, ajo vazhdon të mbetet ambasadorja më e mirë që ndonjëherë ka pasur populli shqiptar.

Gjithë jetën Nënë Tereza ia kushtoi çështjes së bamirësisë, duke i ndihmuar familjet e varfra dhe personat e sëmurë. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Don Zef Ramaj. Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Rrethi i Shkodrës dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Kola dhe Drania patën 5 fëmijë, dy nga të cilët u vdiqën pak pas lindjes.

Përmes një postimi në Facebook, presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kujtuar ditën e lindjes së Nënë Terezës, ku shton gjithashtu se me porositë dhe urtësinë e saj duhet të udhëhiqemi për t’i shërbyer me përulësi çdo qytetari dhe së ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

“Si sot, 110 vite me parë, lindi Shën Nënë Tereza, simboli shqiptar e botëror i humanizmit e solidaritetit njerëzor, e cila me forcën e dashurisë dhe dhembshurisë së saj hyri në zemrat dhe fitoi respektin e miliona njerëzve në mbarë botën, duke i dhënë nder e krenari kombit shqiptar në kohën më të vështirë”, shkruan Meta.

Më tej shton:

“Vepra e Shën Terezës është sot më shumë se kurrë frymëzim për t’u përkushtuar me dashuri ndaj njerëzve në nevojë, të braktisurve e të sëmurëve, për të bërë gjithçka duhet për këdo që ka nevojë për ndihmë, solidaritet e përkrahje sociale, si dhe për t’u angazhuar fuqimisht e të gjithë bashkë për rikthimin e shpresës për një jetë dinjitoze, për punësimin e qytetarëve, zhvillimin ekonomik të vendit dhe frenuar dramën e madhe të shpopullimit. Me porositë dhe urtësinë e Shën Terezës të udhëhiqemi për t’i shërbyer me përulësi çdo qytetari dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. ??”