Vitin e kaluar 523 shqiptarë humbën jetën nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, ndërsa këtë vit, vetëm Covid-19 iu ka marrë jetën të paktën 260 njerëzve në më pak se gjashtë muaj.
Duke i mesatarizuar shifrat për të gjithë vitin, mund të arrijmë në konkluzionin se Covid-19 po shkakton më shumë vdekje se të gjitha sëmundjet e tjera të aparatit të frymëmarrjes marrë së bashku. Në shumicën dërrmuese të rasteve, humbja e jetës nga Covid-19 ndodh për shkak të dëmtimeve të rëndë në mushkëri, që e shkatërrojnë këtë organ dhe bëjnë të pamundur përcjelljen e oksigjenit në gjak.
Në shumë vende të botës studiuesit kanë analizuar shifrat e vdekjeve nga sëmundjet respiratore dhe në disa raste syresh kanë dalë në konkluzionin se gripi dhe sëmundjet e tjera infektive që dëmtojnë mushkëritë shkaktojnë numër më të lartë vdekjesh çdo vit.
Por, nëse ishte nevoja, shifrat e Shqipërisë dëshmojnë se rreziku i Covid-19 është shumë i madh, madje shifrat e vdekjeve mund të jenë realisht më të larta, duke pasur parasysh rastet e pacientëve që kanë humbur jetën pas negativizimit nga Covid-19. Një faktor tjerët është edhe periudha tremujore e kufizimeve drastike, në mungesë të të cilës numri i infektimeve dhe i vdekjeve mund të kishte qenë më i lartë.
Sipas statistikave zyrtare, vitin e kaluar sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes shkaktuan rreth 2.4% të numrit të përgjithshëm të vdekjeve në Shqipëri. Megjithatë, siç ndodh shpesh, statistikat në Shqipëri kanë një shkallë të kufizuar saktësie dhe detajimi. Instat raporton se rreth 3800 vdekje në vit ose 17.2% e totalit ndodh për shkaqe ose sëmundje të papërcaktuara qartë.
Kjo ndodh sepse mjeku që ka plotësuar skedën e vdekjes nuk e ka përcaktuar dot me saktësi shkakun e saj. Një numër kaq i madh vdekjesh me shkaqe të papërcaktuara sigurisht që nënkupton një shkallë të konsiderueshme gabimi në grupet e tjera të shkaqeve. Aktualisht, shkaqet kryesore të vdekjeve në Shqipëri janë sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, me mbi 53% të numrit vjetor të vdekjeve.