Në një kohë që BE-ja së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama, në rolin e kryetarit të OSBE-së po përpiqen të ndërmjetësojnë për krizën politike në Bjellorusi, Rusia nga ana tjetër, prej ditësh ka intensifikuar kontaktet e saj me vendet më të mëdha evropiane.
Filloi me një telefonatë me kancelaren Angela Merkel, më pas me Presidentin Francez Emmanuel Macron, Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, dhe dje, për më shumë se një orë, ai bisedoi me kryeministrin italian Giuseppe Conte.
Sipas mediave italiane, mesazhi i Vladimir Putin në telefonatën me Kryeministrin Giuseppe Conte ishte i qartë:
“Evropa nuk duhet të ndërhyjë në çështjen e Bjellorusisë”.
“Kriza në Bjellorusi është në krye të axhendës së bisedimeve, ngjarjet në Minsk, vendimtare për të ardhmen e marrëdhënieve midis Rusisë dhe BE-së, si dhe për popullatën e maturuar të Bjellorusisë”, shkruajnë mediat italiane.
Problemi, siç konfirmojnë edhe burimet ruse, është se ajo që Evropianët e konsiderojnë “një përpjekje për ndërmjetësim” është parë nga rusët si “ndërhyrje”.
Gjatë shkëmbimit të pikëpamjeve për situatën në Bjellorusi pas zgjedhjeve presidenciale – thuhet në shënimin e Kremlinit të lëshuar nga Gazeta.ru, “pala ruse ka nënvizuar se sa kundërproduktive mund të jetë çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Bjellorusisë”.