MENU
klinika

Publikohet udhëzuesi për fillimin e vitit të ri shkollor

Ministrja Shahini tregon çdo ndodhë nëse një mësues apo nxënës infektohet me COVID

27.08.2020 - 18:39

Përmes një video-mesazhi publikuar në facebook ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka njoftuar publikimin e udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020-2021.

“Sot është botuar udhëzuesi i ASCAP që tregon për skenarët e ndryshëm, të cilët do të zbatohen në shkolla të ndryshme për të siguruar distancimin social, shëndetin e nxënësve dhe mësuesve, kur të kthehemi në shkolla” – thekson ministrja teksa u jep përgjigje edhe disa prej pyetjeve të ngritura nga nxënësit dhe prindërit.

Në lidhje me pyetjen se “pse po vazhdohet me xhirimet në RTSH Shkollë kur është deklaruar që shkollat do të hapen“, Shahini sqaron se ky kanal i dedikuar do të transmetojë të njëjtat orë mësimore që do të zhvillohen në shkollë në mënyrë që nxënësi të ketë mundësi të ndjekë leksionet edhe në rast se qëndrojnë në shtëpi.

Ministrja Shahini jep përgjigje gjithashtu se si do të veprohet nëse një nxënës apo mësues do të dalë pozitiv me COVID-19:

“Protokollet e sigurisë së shëndetit e përcaktojnë qartë se si do të veprohet në rast se një nxënës, një mësues, apo një grup nxënësish del që është infektuar me Covid-19. Tamponimi ndodh për të gjithë grupin. Mbyllet klasa apo e gjithë shkolla në rast se klasa ka patur komunikim apo kontakt me të tjerët dhe për një periudhë kohore të paracaktuar, që mund të jenë 2 apo 3 javë, grupi i nxënësve që do të jetë karantinuar do të vijojë mësimin në kushte shtëpie. Kjo është dhe arsyeja pse RTSH Shkolla do të punojë paralelisht me të gjithë procesin mësimor që do të zhvillohet në objektet shkollore”.

Ndërsa pyetjes se “si do të rregullohet ngarkesa mësimore e mësuesve, nëse ata do të punojnë me më shumë turne dhe a do të shtohet numri i mësuesve”, ministrja Shahini nënvizon:

“Ne kemi planifikuar shtimin e numrit të mësuesve sipas nevojave. Nëse sëmuret një mësues apo nëse do duhet të mbulohen turne, ne kemi buxhet tashmë të shtuar për të mbuluar çfarëdo nevoje që mund të dalë gjatë vitit për të siguruar një mbarëvajtje sa më të mirë të procesit mësimor”.

https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2020/08/Udhezuesi-per-fillimin-e-vitit-shkollor-2020-2021.pdf

Udhëzuesi për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 dhe përgjigjet për disa nga pyetjet tuaja??https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2020/08/Udhezuesi-per-fillimin-e-vitit-shkollor-2020-2021.pdf

Gepostet von Besa Shahini am Donnerstag, 27. August 2020