Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet sot në Vjenë, ku dhe ka takuar zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA, Stephen Biegun. Takimi i tyre vjen një ditë para mbledhjes së Këshillit Special të OSBE-së për krizën në Bjellorusi, që do të zhvillohet nesër po në Vjenë.
Përsa i përket misionit të tij dhe vetë OSBE, Rama tha për gazetarin Muhamed Veliu se kjo iniciativa e Shqipërisë është gjëja e duhur dhe se ka marrë mbështjetjen e të gjithëve. “E para s’bëhet fjalë për të negociuar krizën, por për të krijuar komunikim mes dy palëve që dita ditës po shkojnë drejt një konfrontimi.
S’bëhet fjalë për një punë individuale, por për një punë që lidhet me një organizatë të tërë njerëzish. Kjo është gjëja e duhur mendoj unë. Iniciativa jonë ishte në një moment të vështirë dhe pak kaotik, por mori vëmendje dhe ka marrë një mbështetje të plotë në të gjitha nivelet.
Nuk është refuzuar, por mbështetet me rezervë nga Rusia”, u shpreh Rama. Përsa i përket letrës që Rama i dërgoi Lukashenkos për të ndërmjetësuar dialogun, ai tha se nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare.
“Nuk kam marrë përgjigje nga Lukashenko se po të kisha marrë do isha në Minsk tani. As me liderën e opozitës bjelloruse nuk kam kontakte. Në mënyrë që të mbaj një qendrim të barazlarguar me të dyja palët”, tha Rama.