Ministria e Mbrojtjes e Turqisë njoftoi se 6 avionë F-16 të Greqisë që i janë afruar zonës së shpallur si “Navtex” janë larguar nga rajoni përmes parandalimit nga avionët luftarakë turq, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë në faqen e internetit të ministrisë thuhet se 6 avionë F-16 që janë nisur nga ishulli i Kretës dhe shkonin drejt Administratës Greke Qipriote (GASC) më 27 gusht u zbuluan nga sistemet e radarit të Forcave Ajrore Turke.
“Avionët F-16 të Forcës Ajrore Turke parandaluan avionë F-16 në jugperëndim të ishullit të Qipros në mënyrë që të siguronin identifikim vizual dhe të hiqnin trafikun e përmendur ushtarak që i afrohej zonës të shpallur Navtex, ndërsa avionët u identifikuan se i përkisnin Greqisë dhe u larguan nga rajoni. Vazhdojnë me vendosmëri të pafund aktivitetet për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona në Mesdheun Lindor”, tha ministria.
Ministria në faqen e internetit dhe në Twitter shpërndau edhe videon në të cilën shihet parandalimi i avionëve.
Turqia të enjten zgjati afatin e zonës Navtex për katër ditë për kërkime të hidrokarbureve me anijen sizmike MTA Oruç Reis në Mesdheun Lindor.
Zona fillimisht ishte shpallur nga Turqia deri më 27 gusht .
Navtex, ose Navigational Telex, është një sistem i komunikimit detar që lejon anijet të informojnë anijet e tjera në lidhje me praninë e tyre në një zonë, si dhe informacione të tjera.
Turqia rifilloi kërkimin e energjisë në fillim të këtij muaji në Mesdheun Lindor pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje të diskutueshme për caktimin e kufijve detarë, duke shpërfillur negociatat e inicuara nga Gjermania.
Greqia dhe vendet e tjera janë përpjekur ta cenojnë territorin detar dhe të drejtat e Turqisë për kërkime në Mesdheun Lindor, pavarësisht se asnjë vend nuk ka vijë bregdetare më të gjatë në Mesdhe.
Ankaraja ka kundërshtuar vazhdimisht përpjekjet greke për të shpallur një zonë të madhe ekskluzive ekonomike, duke shkelur interesat e saj.
Turqia ka thënë gjithashtu se burimet e energjisë pranë ishullit të Qipros duhet të ndahen në mënyrë të drejtë midis Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), e cila i ka dhënë licencë korporatës shtetërore turke të naftës, dhe administratës qipriote greke jugore./AA