MENU
klinika

"Merkatoja" në emisionet sportive

Georgina i zë vendin Wandas në “Tiki Taka”

29.08.2020 - 17:03

Jo vetëm klubet bëjnë merkato. Edhe emisionet sportive, sidomos ato kushtuar futbollit lidhin kontrata te reja në sezonin e ri me personazhe nga më të ndryshëm. Emisioni i njohur sportiv “Tiki Taka” do të pësojë ndryshime të mëdha këtë sezon, pasi nuk do të prezantohet më nga Pierluigi Pardo.

Moderimi i është besuar të mirënjohurit Piero Chiambretti, i cili tashmë po mendon të ndryshojë edhe partneren në studio. Kështu në dy vitet e fundit, në krah të Pardo ka qenë Wanda Nara, bashkëshorte e ish- kapitenit të Inter, Mauro Icardi.

Por me transferimin e këtij të fundit në Francë te Paris Saint Germain, argjentinasja nuk duket më e gatshme të vijë çdo fundjavë në Milano për emisionin. Në rrethana të tilla, revista e përjavshme “Chi’ raporton se Chiambretti ka nisur kontaktet me partneren e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez.

Aktualisht në “Mediaset” janë në pritje të përgjigjes nga Georgina, që më parë do të duhet të marrë edhe miratimin e bashkëshortit, pasi me praninë dhe deklaratat e saj në studio, mund të shkaktojë shpesh polemika, siç ka bërë në dy sezonet e fundit Wanda Nara.