MENU
klinika

Shifrat

Sa kushton kurimi nga COVID-19 për një pacient në Shqipëri?

29.08.2020 - 20:33

Dyshimi i personave të cilët nuk besojnë se virusi covid-19 ekziston, bie poshtë kur shikon fluksin e pacientëve nëpër farmaci, të cilët pasi marrin një recetë nga mjeku i familjes i drejtohen farmacive për të marr ilaçet e duhura. Por cilat janë kostot që duhet të përballen personat e prekur me covid 19?

“Pacienti i prekur me covid 19 të cilin e ka vlerësuar mjeku që fillimisht nuk është në gjendje të rëndë por mund të mjekohet ambulatorisht fillon me një antibiotik makroliv. Në përgjithësi në këtë periudhë është dhënë azitromicina që ka bërë pjesë në protokollin e mjekimit të covid19. Plus kësaj në raste të ndryshme kemi vënë re që recetat shoqërohen dhe me dy antibiotikë për te perforcuar veprimin ndaj covid. Këto antibiotikë shoqërohen me suplemente i quajnë ne ato për të rritur rezistencën ku bëjnë pjesë vitamina d,c dhe multivitamina që luftojnë lodhjen. Tjetër duhet holluesi i gjakut, që ka një kosto relativisht të lartë. Kortizoniku gjithashtu”- thotë  për Top Channel farmacistja Muazeze Maçi.

Sa është kosto?

“Nëse i përmbledhim të gjitha këto shkon relativisht goxha. 10000 -12000 lekë të reja, por gjithmonë varet nga kohëzgjatja e mjekimit dhe firmat prodhuese.”

Por veç trajtimit mjekësor, kostot e të infektuarve shtohen me mjetet mbrojtëse të përditshme si maska dhe solucionet higjenizues, si dhe vetëizolimi i detyrueshëm që i shkëput nga puna e që u vë në pikëpyetje pagën mujore për të mbuluar ilaçet e mësipërme. A duhet nënvlerësuar kjo sëmundje infektive, ku veç rrezikut për jetën duhet të mbulosh të gjithë këto shpenzime?!