Fillimi i vitit të ri shkollor në Shqipëri po shoqërohet me debate dhe analiza për shkak të pandemisë COVID-19.
Mjaft ekspertë thonë se qeveria nuk ka një plan të qartë dhe se ka mjaft mangësi në infrastrukturën e shkollave, duke argumentuar se kjo situatë rëndohet edhe më shumë nga dëmtimi i mbi 100 shkollave nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. Autoritetet thonë se mësimi do të zhvillohet me turne i alternuar me on line, ndërsa sqarojnë se vendimi për hapjen e shkollave mbështetet në disa tregues si kapacitetet shëndetësore, numri i vdekjeve dhe tek fakti se grupmosha e arsimit parauniveristar nuk ka paraqitur deri tani klinika të avancuara.
Vendimi i autoriteteve shëndetësore dhe arsimore në Shqipëri për çeljen e shkollave për afro 400 mijë nxënës të sistemit parauniveristar, në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID-19, ka çelur një debat të nxehtë mbi sigurinë e shëndetit të fëmijëve. Ekspertë, prindër, mësues dhe zyrtarë po ndajnë një varg shqetësimesh dhe analizash mbi këtë vendim, që mbështetet në protokollin e ministrisë së shëndetësisë. Pedagogia për psikologjinë e zhvillimit të fëmijëve dhe adoleshentëve në Universitetin e Tiranës Arjana Muçaj i tha Zërit të Amerikës, se strategjia e strukturave shtetërore është e paqartë.
“Në kaq muaj pandemi, Instituti i Shëndetit Publik duhet të kishte bërë një analizë të thellë për të kuptuar gjendjen në të cilën ndodhen shkollat tona”- tha Arjana Muçaj, Pedeagoge për psikologjinë e fëmijëve dhe adoleshentëve në Universitetin e Tiranës.
Zyrtarë të ministrisë së arsimit dhe të shëndetësisë sqarojnë se vendimi për hapjen e shkollave bazohet në përvojën e disa vendeve me kushte të ngjashme me Shqipërinë, tek kapacitetet shëndetësore dhe numri i vdekshmërisë.
“Protokollet e OBSH mbi rekomandimet për fillimin e një viti të ri shkollor kanë qenë prioritet. Ndërkohë paralelisht dhe Qendra Europiane e Kontrollit të Sëmundjeve Infektive ka dhënë rekomandimet bazë për fillimin e një viti shkollor të ri”- u shpreh për Zërin e Amerikës Eugena Tomini, shefja e Epidemiologjisë në ISHP.
Në protokollin e hartuar nga Ministria e Shëndetësisë kanë prioritet disa elementë që lidhen me distancën e fëmijëve në klasë, higjenën dhe ndërgjegjësimin.
“ Ka disa elementë, si distancimi fizik në 1.5 metra, duke përfshirë dhe nivelin e largësisë mes bankave, mbajtja e maskave, përdorimi i dezinfektantëve etj. Ka vështirësi, por duhet të biem dakort për një funksionim dhe zbatim të protokollit nga të gjitha strukturat”- tha Eugena Tomini, shefja e Epidemiologjisë në ISHP.
Por eskpertët ngrenë shqetësime në lidhje me respektimin e protokollit në kushtet e mbingarkesës së shkollave me nxënës. Në disa qytete të mëdha të vendit janë 32 shkolla me mbi 1 mijë nxënës.
“Në shkollat publike numri minimal i nxënësve është mbi 30. Kur themi minimalja mbi 30 do të thotë, që klasat tona shkojnë deri në 40 nxënës. Është shumë e vështirë të mendosh që distanca 1.5 metra do të zbatohet nga fëmijët dhe nga mësuesi përgjegjës që duhet të ruajë dhe fëmijët dhe veten”- u shpreh Arjana Muçaj, Pedeagoge për psikologjinë e fëmijëve dhe adoleshentëve në Universitetin e Tiranës.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit thonë se kanë studiuar me vëmendje çdo detaj dhe propozojnë një alternim të mësimit në klasë dhe on line, në respektim të protokollit të strukturave shëndetësore.
“Kemi menduar në diskutim dhe me mjaft drejtorë të shkollave me numër të madh nxënësish, që një klasë të ndahet në dy klasa, në mënyrë të tillë që nxënësit të vendosen në mjedise duke ruajtur disatancimin fizik. Orët mësimore do bëhen më të shkurtra, 30 minuta nga 45 dhe në një shkollë që ka numër të madh nxënësish mund të zhvillohet mësimi deri në tre turne, duke filluar nga ora 8 e mëngjesit deri në 7 të mbrëmjes. Lëndët që janë module apo lëndë dytësore do bëhen edhe on line. Dhe në udhëzuesin tonë parashikohen edhe orë mësimore në mjedise jashtë”- tha për Zërin e Amerikës Zamira Gjini Drejtore e Politikave të Zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në MASR.
Por ambjentet e mësimit pritet të mbingarkohen edhe më shumë pas dëmtimit të mbi 100 shkollave nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar, disa prej të cilave janë në ristrukturim dhe disa pritet të rindërtohen.
“Në këto qytete ku ka shkolla të dëmtuara nga tërmeti ka qenë përqëndrimi ynë këto ditë, që kemi parë konkretisht se si do të veprohet. Janë marrë masat që nxënësit të shkojnë në shkollat e padëmtuara më dy ose 4 turne dhe disa orë t’i bëjnë dhe on line”- sqaroi Zamira Gjini, Drejtore e Politikave të Zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në MASR.
Drejtuesja e koalicionit të fëmijëve Linda Pino ngre një tjetër shqetësim që lidhet me kostot që shtohen mbi familjet e varfra për të pajisur fëmijët me maska dhe dezinfektant.
“Janë mbi 100 mijë fëmijë në Shqipëri të cilët e kanë të pamundur të ulen në bankat e shkollës dhë të ndjekin mësimin si bashkëmoshatarët e tyre. Për këta fëmijë të cilët jetojnë në kushtet e varfërisë si do të bëhet i mundur garantimi i elementëve që u japin atyre siguri në shkollë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Linda Pino koordinatore e Koalicionit të fëmijëve në Shqipëri.
Autoritetet zyrtare thonë se e kanë gjetur zgjidhjen jo vetëm për kategorinë e fëmijëve të pamundur.
“Ministria e Arsimit ka marrë masa për furnizimin me maska dhe me dezinfektantë në klasa për të gjithë nxënësit. Jemi duke punuar edhe me organizata joqeveritare të cilat kanë ofruar sponsorizim”- sqaroi Zamira Gjini Drejtore e Politikave të Zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në MASR.
Nga organizimi i ri i mësimit mësuesit do të rëndohen me orë mësimore, dhe zyrtarët thonë së ata do të paguhen për orët shtesë, ndërsa nënvizojnë se nëse do të jetë e nevojshme do të shtohet numri i tyre. Por për prindërit mbetet prioritet siguria e shëndetit të fëmijëve në kushtet kur në Shqipëri nuk respektohen rregullat për parandalimin e përhapjes së virusit.
Autoritetet shëndetësore thonë se kanë patur më herët eksperiëncë pozitive me çeljen e çerdheve dhe kopshteve, ndërsa sqarojnë se grupmosha e arsimit parauniversitar nuk paraqert rrezik për klinika të avancuara. E megjithatë hapja e shkollave në Shqipëri mbetet një sfidë jo vetëm për strukturat shtetërore në kushtet e mungesës së infrastrukturës mësimore në mjaft shkolla të vendit, por edhe për prindërit dhe mësuesit. Pikpyetja e madhe në prag të fillimit të vitit të ri shkollor mbetet respektimi i masave të propozuara nga ekspertët e shëndetit publik dhe ecuria e virusit.
/VOA