MENU
klinika

FAMILJA RROTA

Njëri gjuhëtar dhe tjetri piktor! Historia e vëllezërve shkodranë

11.10.2018 - 18:10

“Po shkruej për vedi e për Shkodrën” ishte libri që pak kohë më parë u botua si përmbledhje e shënimeve të piktorit shkodran Simon Rrota. Në të nuk mungonte as vëllai i tij, Atë Justin Rrota i cili njihet si një ndër gjuhëtarët më me vlerë që Shqipëria e kohës ka nxjerrë. Ai është i vetmi që deri më sot ka botuar disa rregulla mbi të shkruarit e dialektit gegë, duke na sjellë të parin “drejtshkrim” të gegërishtes.

Shpesh herë, Shkodra na surprizon me historitë e njerëzve të shquar që ka nxjerrë dhe lidhjet ndërmjet tyre. Duke qenë se për periudhën kur po flasim vetëm disa familje vërtetë aristokrate mund të siguronin arsimimin e fëmijëve të tyre, kuptohen edhe lidhjet e gjakut mes intelektualëve të kohës. Një rast, ndoshta më i rëndësishmi, është ai i dy poetëve, Lazër dhe Ndre Mjeda.

Rasti që sot do të trajtojmë është ai i familjes Rrota. Shumë e njohur në Shkodrën e kohës, ajo la dy pinjollë të denjë për emrin e saj, njërin piktor dhe tjetrin gjuhëtar. Simon dhe Justin Rrota janë dy mjeshtra të cilët me skrupulozitet klauzorian ja dolën të gdhendin emrat e tyre në historinë e kulturës së Shqipërisë.

Simon Rrota është një ndër piktorët më të rëndësishëm të Shkodrës. Pasi studioi në Itali, u kthye në vendlindjen e tij të cilën e pikturoi në çdo aspekt të saj, duke filluar me rrugicat, ndërtesat, qiellin, tokën dhe vetë njerëzit. Në veprën e tij, karakteri atdhetar është shumë i theksuar, pasi, mes të tjerash, thuajse të gjithë personazhet kanë veshje kombëtare. “Vajzë Shkodrane” apo “Grue muslimane shkodrane me kotum kombëtar” e të tjera tregojnë atë çfarë realisht Rrota përfaqësonte në botën e pikturës.

Vëllai i tij, disa vjet më i vogël ishte Justini. Që në moshë të re ndjeu thirrjen për frat dhe i hyri rrugës së studimit për meshtar, rrugë që e çoi në disa prej qyteteve ku janë universitetet më të mirë në botë. Është i pari që në boton një vepër shkencore mbi letërsinë shqipe në vitin 1925 dhe pastaj, disa libra me qëllime didaktike. Por kontributin më të madh e dha në lëmin e gjuhësisë duke botuar disa libra në lidhje me këtë temë, pak ose aspak të trajtuar deri atëherë.

Ishte një ndër ata me të cilët vetë Atë Fishta diskutonte krijimiet e tija duke i kërkuar t’i shikonte dhe përpunonte në rafshin gjuhësor. Kështu bënte edhe me Atë Marin Sirdanin për konsultë në rafshin historik.

Familja Rrota sot është më afër lexuesve, studiuesve dhe bashkëqytetarëve të saj se kurrë më parë, pasi falë librit të përmendur në fillim të shkrimit, historia e saj mund të njihet nga të gjithë.

/Andreas Dushi

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët