Aida Hajnaj ditën e sotme fillon detyrën në krye të BKH-së (Byroja Kombëtare e Hetimit).
Në një njoftim Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka uruar Hajnajt suksese për detyrën e re.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale ambasada shkruan se ky është një hap shumë i rëndësishëm për Shqipërië dhe për sistemin në drejtësi.
“Sot, zj. Aida Hajnaj, merr detyrën si drejtuesja e parë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky është një gur i rëndësishëm kilometrik, jo vetëm për sistemin shqiptar të drejtësisë, por gjithashtu për gratë në role drejtuese. Në përputhje me kërkesat e ligjit shqiptar, Hajnaj përfundoi një program trajnimi posaçërisht të krijuar nga Programi Ndërkombëtar i Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal (ICITAP) në Shqipëri, të fokusuar në procesin përzgjedhës të hetuesve të BKH, në etikën profesionale në BKH, në procedurat e disiplinës në BKH, në përdorimin e forcës dhe armëve të zjarrit nga BKH, rregulloren mbi përdorimin e poligrafit në BKH, në marrëdhëniet e BKH me Policinë e Shtetit dhe mbi rolin vëzhgues të Komisionit Ndërkombëtar të BKH. Ne përgëzojmë Shqipërinë për marrjen e një hapi më tej drejt drejtësisë që shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë,” thuhet në postimin e ambasadës.
Me fillimin e detyrës së re Hajnaj do të zhvillojë takim me prokurorët e SPAK.
Aktualisht SPAK ka 180- kallëzime për korrupsion nga zyrtarë të lartë, dosje që janë ende në pritje.
Sakaq Hajnaj pritet të çelë garën e përzgjedhjes së 60 oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
BKH është një njësi e specializuar e policisë gjyqësore që heton veprat penale nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçe, sikurse autorizohet në ligjin për SPAK-un, 2016.
Një skuadër prokurorësh të posaçëm do të punojnë së bashku që në mënyrë proaktive hetojnë dhe ndjekin penalisht zyrtarë qeveritarë dhe të tjerë që dyshohen që janë të përfshirë në vepra penale në lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin.