Ndonëse Lionel Messi e kishte vendosur të largohej nga Barcelona, pas takimit të tij me trajnerin Ronald Koeman i vuri “vulën” përfundimisht. Argjentinasi foli me teknikun holandez dhe takimi i tyre nuk ishte shumë i përzemërt.
Tekniku nuk arriti ta bindte që të qëndronte. Kapiteni e pyeti për lojtarët që do të afroheshin te katalanasit, ndërsa përgjigjja e trajnerit të ri ishte e ftohtë: “Pa shitur, nuk mund të blejnë”. Nisur nga diçka e tillë, Messi u bind dhe më tepër se Barca nuk ka një plan të qarta.
Argjentinasi i gjendur para situatave të tilla, menjëherë pas takimit 1 orësh me Koeman, vendosi të largohej. Ai foli me trajnerin Pep Guardiola dhe dëshiron që t’i bashkohet ekipit të Manchester City-t për sezonin e ri.
Këto janë ditë vendimtare për të ardhmen e Lionel Messi: babai i tij Jorge u largua nga Rosario pak më parë, me një fluturim privat dhe së shpejti do të arrijë te Barcelona. Nesër ai duhet të takohet me Bartomeu për të biseduar në lidhje me shitjen e mundshme të fenomenit argjentinas.
TycSports raporton edhe se Messi nuk ka dalë në stërvitje, pasi pret të atin dhe ka njoftuar edhe avokatët e juristët! Sakaq, bordi drejtues katalanas kërkon ballafaqim me numrin “10”, që deri tani nuk është përgjigjur dhe gjithçka ka ngelur te burofax i datës 25 gusht!