Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një inspektim në Komisariatin e Policisë së Pogradecit i shoqëruar nga Prefekti i qarkut dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit.
Ministri vlerësoi punën e strukturave lokale të Policisë për mbarëvajtjen e sezonit, si dhe rendin në tërësi. Lleshaj veçoi goditjen e grupit kriminal në ngjarjen e ndodhur më 8 gusht 2020 në hotel “Voloreka” në Pogradec.
Ai gjithashtu theksoi se shërbimet online kanë ulur me 70 % prezencën e qytetarëve që marrin shërbime në polici, duke i ofruar ato online.
Fjala e plotë e Lleshajt:
Kemi ardhur sot në Pogradec për të inspektuar punën që po bëjnë strukturat e këtushme të Policisë, në funksion të rendit dhe të sigurisë. Dhe dua të them me kënaqësi se puna e bërë nga Komisariati dhe nga strukturat e tjera vendore të Policisë ka dhënë rezultate të mira. Së fundmi, opinioni publik është njohur me një ngjarje të rëndë, e cila u shoqërua pastaj me një aksion shumë të rëndësishëm të Policisë që çoi në zbulimin dhe goditjen e një grupi shumë të rrezikshëm kriminal, i cili ka shkaktuar një moment shumë optimist në mbarë qytetin e Pogradecit, për faktin se u godit vërtetë fort dhe shpejt një grup i ndërlikuar kriminal.
Shohim me kënaqësi se masat e marra edhe në funksion të shërbimeve të tjera policore, në funksion të menaxhimit të sezonit turistik, të masave të marra për policimin në komunitet dhe po ashtu masat e marra për ofrimin e shërbimeve online janë në rrugën e duhur. Konstatova me kënaqësi se fluksi i qytetarëve që vijnë fizikisht në hyrje, ose në Zyrën e Shërbimit të Qytetarëve në Komisariat, tashmë ka rënë me një përqindje të madhe. Kjo për arsye se shërbimet ofrohen online dhe është eliminuar dukshëm, gati mbi 70 % nevoja e prezencës fizike të qytetarëve në mjediset e Komisariatit. Ne do ta vazhdojmë këtë punë me konseguencë të madhe, për të bërë të mundur që qytetarët të mund të marrin shërbime online, pa qenë nevoja të harxhojnë kohë apo dhe para për këto shërbime. Ndërkohë burimet njerëzore që çlirohen do t’i angazhojmë më mirë në funksion të rendit dhe sigurisë publike. Besoj se edhe investimi i bërë nga Qeveria për shtimin e madh të numrit të Policisë së Shtetit do të japë ndikimin e vet edhe në Pogradec përmes shtimit të patrullave dhe përmes shtimit të kapaciteteve në funksion të rendit dhe të sigurisë në këtë qytet të rëndësishëm turistik të vendit.