Jorge Messi, babai i Lionelit, dhe njëkohësisht menaxheri i tij, mbërriti në Barcelonë dhe takoi presidentin Bartomeu. Udhëtimi i tij nga Argjentina drejt Katalonjës u bë me avion privat.
“Nuk di asgjë, djem. Të shohim, por më lini të kaloj”, – ishin fjalët e para të Jorge Mesit, teksa nga dalja e aeroportit i drejtohej mjetit që do ta çonte në zyrat e tij. Por gazetarët nuk hoqën dorë dhe këmbëngulën për t’i marrë të tjera deklarata dhe ai këtë herë tregohet më i drejtpërdrejtë.
“Është shumë e vështirë, shumë e vështirë që Leo të qëndrojë”, – tha Jorge për mikrofonat e “Deportes Cuatro” kur u fut në zyrat e tij. Më tej ai mohoi edhe akordin me skuadrën e Mançester City-t.
“Nuk kam folur me Pep Guardiolën, nuk kam folur me asnjë gjatë kësaj kohe. Nuk di asgjë për Manchester Cityt”, – theksoi Jorge Messi. Pas këtij momenti, ai u fut në zyrat e fondacionit “Leo Mesi” dhe qëndroi për 6 orë në takime të njëpasnjëshme me avokatët e tij për të qenë sa më i përgatitur në takimin me presidentin Bartomeu.
Në drekë, ai doli nga zyrat dhe iu drejtua një restoranti italian, ku qëndroi nën shoqërinë e të birit, Rodrigo. Ndërkohë që i ati po merret me zgjidhjen e kësaj çështjeje, Leo po qëndron në heshtje dhe ka vendosur që të mos paraqitet në stërvitjet e skuadrës së Barcelonës.
Pavarësisht dëshirës që ka lojtari për t’u larguar nga Barcelona, drejtuesit katalanas nuk kanë ndërmend që t’ia bëjnë të lehtë. Tani do të nisë lufta e vërtetë në Katalonjë.
Barcelona është gati që ta çojë në gjyq Lionel Messin dhe skuadrën e tij të ardhshme në rast se FIFA do ta lejojë që të transferohet diku. Nuk dihet nëse kjo gjë po përdoret si presion nga ana e Barcelonës për skuadrat që duan shërbimet e Lionel Messit, apo realisht do të nisë luftën ligjore ndaj kapitenit.
Skuadra e Manchester City (ndoshta edhe ndonjë tjetër) është në pritje. Nga ana tjetër, mediat spanjolle kanë publikuar një lajm ku thuhet se Leo Messi dhe avokatët e tij kanë dyshime serioze dhe nuk mendojnë se kontrata u jep të drejtë të largohen.
Duket se takimet dhe kërkesat e secilës palë në mënyrë paqësore duket se janë ezauruar, ndaj Messi dhe Barcelona janë të destinuar të shkojnë në gjyq për të mësuar të ardhmen e sulmuesit argjentinas.