A do të ulen në tryezë Greqia dhe Turqia? NATO thotë “Po” dhe përmes një deklarate të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, u mësua se mes Athinës dhe Ankarasë ishte arritur një marrëveshje që palët të uleshin në tryezë për të biseduar në nivel teknik në mënyrë që të çtensionohet situata e krijuar në Mesdheun Lindor.
Por ndryshe vijnë lajmet nga Athina zyrtare. Burime diplomatike të mediave greke hodhën poshtë pretendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s duke mohuar gjithçka.
“Ne e vlerësojmë qëllimin e Stoltenberg për të vendosur mekanizmi çtensionuese brenda NATO-s. Sidoqoftë çtensionimi mund të arrihet me tërheqjen e menjëhershme të anijeve turke nga shelfi kontinental grek”, thuhet në mediat greke.
Madje Protothema shkruan se reagimi i Stoltenberg nuk përshtatet me realitetin dhe se ai vetë ka qëndrime proturke.
“Një tweet i sekretarit të përgjithshëm i njohur për qëndrimet e tij pro turke dhanë përshtypjen se është arritur një marrëveshje ku Ankaraja dhe Athina mund të ulet në tavolinë”, shkruante Protothema.
Më herët, Stoltenberg njoftoi se Greqia dhe Turqia kanë pranuar të ulen në bisedime për të shmangur përplasje në Mesdheun Lindor.