Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump do të jetë sot i pranishëm në takimin midis delegacionit të Kosovës me atë të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Washington.
Sipas njoftimit zyrtar nga Shtëpia e Bardhë, vendi ku do të takohen dy liderët nga Ballkani dhe presidenti amerikan, Trump do të jetë i pranishëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë. Ai do të mbajë më pas një takim trilateral me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Njoftimi nuk e përcakton se çfarë marrëveshje do të nënshkruhet, por palët kanë bërë të ditur të enjten se bëhet fjalë për marrëveshje ekonomike.
Kryeministri i Kosovës kishte thënë se “ky është hap i madh drejt marrëveshjes finale” ndërsa presidenti serb kishte shtuar se nuk kanë pranuar pikën e marrëveshjes në të cilën, sipas tij, parashihej njohja e Kosovës.
Ndërkaq nga ndërmjetësuesit amerikanë zhvillimet e së enjtes janë parë si hap pozitiv në normalizimin ekonomik.
Delegacionet nga Kosova dhe Serbia sot takohen për herë të dytë në kuadër të procesit të dialogut me ndërmjetësimin e SHBA-ve, proces që synon një marrëveshjeje finale që sipas palës kosovare do të çojë deri tek njohja reciproke e shtetësisë nga të dyja palët.