MENU
klinika

Liga e Kombeve

Kuqezinjtë triumfojnë pastër në Bjellorusi

04.09.2020 - 21:44

Shqipëria e ka nisur mjaft mirë edicionin e dytë në Ligën e Kombeve, duke fituar 2-0 në Bjellorusi. Një sukses që ngjit kuqezinjtë në vendin e parë me pikë të barabarta me Kazakistanin, që fitoi sot po 0-2 në Lituani. Me këtë të fundit Kombëtarja do të ndeshet më 7 shtator në Tiranë.

Goli i parë për kuqezinjtë u shënua nga Cikalleshi në minutën e 23-të. Hysaj nga e djathta pason për sulmuesin, i cili krijon hapësirë dhe nga jashtë zonës dërgon topin në rrjetë, duke përfituar edhe nga një devijim i lehtë. 0-1 mbyllet pjesa e parë.

Vendasit kërkuan me ngulm golin e barazimit në të dytën, por është Shqipëria që ka shënuar golin e dytë me kundërsulm. Ekipi kuqezi gjeti golin me anë të Keidi Bares pas një kundërsulmi model. Mesfushori mori një pasim të mirë nga Roshi në hyrje të zonës dhe e dërgoi mjaft mirë në rrjetë për 0-2.

Kuqezinjtë ditën të mbrojnë avantazhin, madje mund të kishin shënuar edhe golin e tretë. Gjithsesi, pas 4 minutash shtesë, Shqipëria fiton 0-2, duke marrë kreun e grupit që në start.

Bjellorusi – Shqipëria 0-2

Cikalleshi 23’, Bare 79’

Bjellorusia: Gutor, Zolotov (76′ Skavish), Martinoviç, Naumov, Bordaçev, Nekhjajçik, Iablonski, Seliava (46′ Kaçaturian), Staseviç, Dragun, Lisakoviç. Trajner: M. Markhel.

Shqipëria: Strakosha, Veseli, Gjimshiti, Dermaku, Hysaj, Gjasula, Bare, Abrashi, Trashi (68′ Roshi), Cikalleshi (72′ Balaj), Manaj (90′ Mihaj). Trajner: E. Reja.