Është e pamundur të ndajmë Rolandin nga djali i thjeshtë nga Lezha, në biznesmenin e fuqishëm në Kinë. Është po aq e vështirë të gjesh dallimin mes djaloshit simpatik që ka qenë në pasarelat më dinjitoze të botës, si “Valentino”, Kappa”, “Nike”, “Adidas” dhe djaloshit që nuk harron pa bërë bamirësi në vendlindjen e tij. Rolandi i fotove me personazhet VIP është po i njëjti me atë që tanimë i mungon peshkimi me familjen e tij. Në rrëfimin e tij për “Global Man Albania”, ai sjell historinë e një suksesi, që përditë e më shumë rritet, por gjithnjë me këmbë në tokë, duke mos harruar vendlindjen e tij. “Unë jam zemërluan”, na rrëfen përgjatë intervistës Rolandi, i cili tashmë ndan jetën e tij mes bashkëshortes dhe djalit, por edhe një ndër bizneseve më të fuqishme në Kinë. Dhe të mos harrojmë, ai ende nuk ka mbushur 30 vjeç.
Roland Lekaj, një shqiptar i famshëm jashtë vendit, si do ta përshkruanit karrierën tuaj nga Shqipëria, tani në Kinën e largët dhe një famë në të gjithë botën?
Para së gjithash jam krenar që jam nga toka e shqiponjave. Shqipëria ka shumë njerëz të famshëm në të gjithë botën, edhe më të famshëm se unë dhe për këtë jam krenar që jam shqiptar. Kjo më bën të ndihem mirë, sepse ne i tregojmë botës se Shqipëria ka njerëz të zgjuar dhe punëtorë. Duke qenë i famshëm dhe një biznesmen i suksesshëm në Kinë nuk është aspak e lehtë. Në të vërtetë, për të gjithë ata që e arrijnë këtë nivel në të gjithë botën nuk është e lehtë. Është shumë e vështirë për të arritur këtu. Duhet shumë punë, ditë dhe net pa gjumë dhe vite për të arritur suksesin. Shumica e njerëzve mendojnë se fat për ata që fitojnë para dhe famë! Unë dua t’i them se ata se kanë gabim. Fat është 1% dhe punë 99%. Është si të shikosh një “iceberg”. Shumica e njerëzve shohin vetëm ato që janë lart, por mendja e tyre nuk mund të shkojë më thellë për të parë se çfarë duhet për të arritur në majë.
A i mbani mend fillimet tuaja, cila ka qenë pjesa më e vështirë në karrierën tuaj?
Sigurisht që mbaj mend pothuajse çdo ditë nga fillimet e mia deri tani. E kam nisur karrierën në moshë të re, në Shqipëri, në qytetin tim, Lezhë. Fillova modelimin rreth vitit 2007 te “Mister dhe Miss Lezha” dhe pastaj prej andej filloi gjithçka. Në fakt ishte shumë e vështirë për shkak të situatës ekonomike në familje. Por prapë babai dhe nëna ime kanë bërë më të mirën si prindër për ne si fëmijë dhe kanë punuar kaq shumë për të na bërë të lumtur dhe të shijojmë jetën më shumë se shumë fëmijë. Falënderoj Zotin për këtë, për vëllain dhe motrën time, që patëm mundësinë të kishim një baba dhe nënë të mahnitshëm që të na edukojnë dhe të na japin gjithçka që duhet të ketë një njeri. Kam shumë gjëra për të thënë rreth kësaj pyetjeje, kështu që ndalemi këtu më mirë.
Tanimë, si është karriera juaj, nëse njerëzit ju pyesin çfarë jeni biznesmen, apo “showman”, apo të dy?
Së pari, unë jam një djalë i mirë i prindërve të mi, një vëlla, një burrë i mirë, baba i mirë dhe mik i mirë për ata që meritojnë të jenë të tillë. Pastaj unë jam një biznesmen kur bëhet fjalë për biznesin, pas kësaj unë jam një “showman” kur vjen puna për “show”. Gjithçka duhet të kombinohet në mënyrën më të mirë, përndryshe nuk ka kuptim dhe nuk je askush. Unë gjithmonë e vendosa familjen të parën para gjithçkaje.
Cila është më e lehtë dhe më e vështirë, të bësh famë apo biznes në Kinë?
Kina është 1/4 e gjithë botës. Nuk ka rëndësi se çfarë bëni, këtu nuk është aspak e lehtë. Por e rëndësishme është kur keni një ëndërr dhe pasion për atë që bëni, atëherë gjithçka bëhet më e qetë dhe më e lehtë. Unë gjithmonë them në fjalimet e mia bëni atë që doni dhe duajeni atë që bëni, është mënyra më e mirë për të qenë të lumtur dhe të suksesshëm në jetë.
Prej vitesh jetoni në Kinë, me gruan dhe djalin tuaj, si po shkon jetesa atje?
Unë jam në Kinë tashmë prej 8 vitesh. Zoti më bekoi me një grua dhe djalë të mrekullueshëm. Jam shumë i lumtur, faleminderit Zotit për gjithçka kam posaçërisht për familjen time të shëndetshme dhe të dashur. Këtu jeta është si një ëndërr. Kam udhëtuar nëpër botë në shumë vende dhe them se si Kina nuk mund të gjesh një vend të dytë, njerëz të mirë, vend të bukur, shkrimtarët më të vjetër të historisë botërore, shumë mundësi për një jetë më të mirë, siguri në maksimum dhe e shumë të tjera. Shumë njerëz flasin për Kinën, sepse e njohin Kinën nga lajmet në TV dhe jo nga jeta e vërtetë. TV dhe lajmet ndryshojnë shumë, jo të gjitha janë të vërteta. Unë sugjeroj që gjithsecili të vijë një herë në Kinë dhe të shohë me sytë e vërtetë se çfarë është Kina. Kjo është e gjitha. Pas kësaj, unë ju premtoj se do të keni një mendim të mrekullueshëm për Kinën.