Kreu i Lëvizjes “URA” në Malin e Zi, shqiptari Dritan Abazoviç ka folur për mediat shqiptare për situatën pas zgjedhjeve dhe krijimin e qeverisë së re. Abazoviç deklaroi se qeveria në ikje e Gjukanoviç është e akuzuar për krim e korrupsion. Ai tha gjithashtu se është kërcënuar por theksoi se nuk do t’i largohet përgjegjësive politike.
“Koalicioni ynë synon integrimin në Bashkimin Europian. Qeveria jonë do të punojë në interes të qytetarëve. Unë nuk i largohem përgjegjësive politike. Më kanë kërcënuar, por nuk viktimizohem!”, tha ai.
Sa i përket mundësive që ai të jetë kryeministër i Malit të Zi, Abazoviç tha:
“Nuk e di a do të jetë ajo zgjedhje. Nuk jam i interesuar a do vijojë në atë drejtim. Kryeministri i Malit të Zi duhet të jetë dikush që do punojë në interes të qytetarëve dhe do e çojë malin e Zi në BE. Nuk ka rëndësi a është Dritani apo kush tjetër. Shumë sfida i kam marrë përsipër dhe nuk i kam ikur as tani. E di që është shumë e vështirë por këtu jam. I gatshëm të jap çdo kontribut”, deklaroi ai.
Abazoviç tha se nuk ka qeveri pa lëvizjen që drejton. Por a do jetë Abazovic, një zë i fortë i shqiptarëve?
“Vetë prezenca në politikë ka ardhur në një impakt. Imazhi i shqiptarëve një nivel është rritur. 30 vite ne nuk kemi sukses. Unë mendoj se nuk ka për të qenë aspak zor për të qenë më i suksesshëm se qeveria e mëparshme por ne kemi qejf të jemi shumë më të suksesshëm. Zëri im dhe i partive të tjera ka për të qenë për përmirësimin e standardit të jetesës të të gjithë qytetarëve”, tha Abazovic.
Sa i përket komunikimit me politikanët shqiptarë ai u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar.
“Kam marrë mesazhe urimi, nuk kanë qenë prej kryesisë por dhe deputetë në parlamentin e Shqipërisë. I jam mirënjohës. Jam i hapur për bashkëpunim. Mendoj se kemi bërë në punë të madhe por një punë e madhe është në vazhdim”, tha ai.