Kryetarja e Alternativës që është deputete në Grupin Parlamentarë të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti çdo dy muaj po i ndryshon qëndrimet diametralisht në anën e kundërt të asaj çfarë ka deklaruar më parë.
Kusari-Lila përmes një shkrimi në llogrinë e saj në Facebook, ka hedhur kritika të ashpra ndaj Hotit, duke e quajtur jo kredibil, për shkak të deklaratave të tij.
“Shenzheni e mijëra vende të punës humbën, mini-shengeni u nënshkrua me bindjen se duhet të realizohet. Kaq për kredibilitetin e Avdullah Hoti për fjalën e tij të folur dhe qëndrimet e tij publike për çështje të interesit shtetëror”, tha ajo.
“Diskutimi i mëposhtëm daton nga Qershori 2020 dhe ishte përcjellë me përqeshje nga përfaqësuesit e Qeverisë se si nuk e kuptoj termin Shen-Zhen, ndërsa të pyetur për Mini-Schengen, ata deklaruan as nuk bëhet fjalë dhe as nuk do të diskutohet në bisedime me Beogradin”, shkroi deputetja.
“Në shtator 2020 u vendos firma në një dokument uni-lateral ku pranohet Mini-Shengeni. Sipas praktikës së deritashme, çdo dy muaj Avdullah Hoti ndryshon qëndrimet e tij, duke vepruar diametralisht në anën e kundërt të asaj çfarë ka deklaruar më parë”.
“Më mirë të isha unë e gabuar në Qershor se sa të jemi si shtet të mashtruar nga ata që pretendojnë të na udhëheqin pa legjitimitet”, shkroi Kusari-Lila.