Ultësira e Shqipërisë përgjatë detit Adriatik ka qenë gjithnjë një zonë endemike për malarjen. Kjo sëmundje ka qenë një ndër shkaktarët kryesore të vdekjes në Shqipëri për shekuj me radhë.
Një nga arsyet pse shqiptarët jetonin më së shumti në male dhe jo në zonën e ultësirës ishte pikërisht edhe malarja.
Mungesa e statistikave deri në fundin e viteve ’20 e bën të pamundur që të jepen shifra reale të vdekjeve që shkaktoheshin nga sëmundja që vinte nga pickimi i mushkonjave.
Megjithatë, janë të shumta dëshmitë që jepen në libra e në artikuj gazetash që evidentojnë peshën që kishte në vdekshmërinë e popullatës kjo sëmundje.
Përpjekjet e para për të luftuar këtë sëmundje në rrugë masive konstatohen gjatë Luftës së Parë Botërore.
Në gazetën “Posta e Shqypnisë”, botim shqiptaro-austriak në Shkodër përmendet një konferencë e përgjithshme e realizuar në vitin 1917 ku komanda diskutonte atë që duhej bërë për të rregulluar ujërat dhe si rrjedhojë për të luftuar edhe foletë e mushkonjave që shkaktonin sëmundjen e malarjes.
Për këtë qëllim, evidentohet në artikull, përdoreshin jo vetëm ushtarët dhe popullata por edhe ata që ishin rob lufte, kryesisht rusë.
Të njëjtën praktikë ndoqën edhe italianët që kishin në administrim pjesën jugore të vendit dhe që ishin përqendruar në Vlorë. Gjatë qendrimit të tyre në Shqipëri, ata hasën shumë probleme dhe një numrër më i lartë viktimash u shkaktuan nga mushkonjat.
Një përpjekje e organizuar mund të thuhet se nisi në vitet ’20 kur qeveria shqiptare në bashkëpunim me institutin Rockefeller ngriti atë që u emërtua Laboratori i Ujnave që drejtohej nga një inxhinier shëndetësor shqiptar.
Me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë u përpoq që të bëhej dhënia e ilaçeve për popullatën, duke e kuruar kryesisht me lëndën që emërtohej kininë.
Për të pasur masa nuk mjaftonte vetëm kurimi por duheshin masa profilaktike, që nënkuptohet se duhej luftuar dhe shfarosur agjenti i përhapjes së sëmundjes që ishte mushkonja.
Për të shtuar mjetet e nevojshme për këtë luftë, Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë ndërhyri pranë qeverisë që të kërkohej ndihma dhe bashkëpunimi me fondacionin Rockefeller.
Si përgjigje ndaj kërkesës së qeverisë, fondacioni dërgoi në Shqipëri në tetorin e vitit 1926 Doktor Hacket që të bënte studimet paraprake mbi përhapjen e malarjes në vendin tonë dhe të caktonte metodat më të mira në luftimin e saj.
Në përfundim të kësaj vizite dhe me ndërhyrjet e vazhdueshme të ambasadorit amerikan dhe të një bamireseje amerikane, fondacioni autorizoi në vitin 1927 doktorin që të themelojë një Shërbim Antimalarik, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shëndetësisë.
Në përfundim, u pranua propozimi që gjysma e shpenzimeve të Shërbimit Antimalarik të mbulohej nga qeveria shqiptare dhe gjysma tjetër nga Fondacioni amerikan. Kështu në vitin 1929 u çelën stacione e para antimalarike, l një në Tiranë dhe 1 në Durrës. Në vitin 1930 u krijua edhe stacioni i Elbasanit, në 1932 stacioni i Shkodrës e në fund u vendos çelja e stacioneve në Berat dhe Vlorë.
Programi parashikonte çeljen e stacioneve antimalarike në çdo qendër prefekture për të luftuar malarjen.
Fondacioni Rockefeller ndër të tjera dërgoi në Shqipëri një malariolog dhe një inxhinier special për kanalizimin e ujërave dhe caktoi edhe dy bursa të përvitshme për specializimin e mjekëve dhe inxhinierëve shqiptarë pranë stacionit eksperimental antimalarik të Romë.
Deri në vitin 1937 bursën e kishin marrë 8 mjekë shqiptarë;.
Në këtë periudhë, krahas përgatitjes së personelit shëndetësor u përgatit edhe një plan inxhinierik për zhdukjen e foleve të mushkonjave dhe një degë kërkimore për sudimin e mënyrave se si shumoheshin dhe përhapeshin mushkonjat.
Tirana
Referuar studimeve, në shtratin e lumit të Tiranës, gjatë verës formoheshin moçale të vogla. Lumi Lana konsiderohej një fole e rrezikshme për mushkonja anofelike duke qenë se kishte rrjedhje të ngadaltë dhe formime moçalesh.
Sistemi i qarkullimit të ujit ishte primitiv dhe nuk kishte aspak kontroll shëndetësor. Për mbrojtjen e Tiranës nga infektimi malarik u vendos sistem që kontrollonte sasinë e ujit në mënyrë që të mos lejohej formimi i moçaleve.
Si rezultat, lumi thahej gjatë muajve të verës që konsideroheshin si muajt më të rrezikshëm, duke zhdukur në këtë mënyrë foletë e rrezikshme për zhvillimin e anofeleve apo mushkonjave të rrezikshme.
Keneta e Yzberishtit u tha terësisht përmes një kanali 1500 metra që kushtoi 10 mijë franga ari.
Duke filluar nga prilli deri në fund të shtatorit, një punëtor sëbashku me tre ndihmës merrej çdo ditë me shpërndarjen e një helmi për larvat në të gjithë sipërfaqen e ujërave në një sipërfaqe 4 kilometra katrorë që rrethonte qytetin me qëllim që të ndalohej zhvillimi i larvave anofelike.
Përmes kësaj mënyrë u zhdukën pothuajse mushkonjat anofelike në Tiranë.
Durrësi
Në Durrës në vitin 1929 situata e malarjes ishte e njohur dhe në zonën e bregdetit nuk banohej. Fushja e Shkozetit dhe vetë bregdeti i Durrësit kishin natyre moçalike dhe si rrjedhojë bëheshin burim mushkonjash.
Në vitin 1932 u hap një kanal që lidhte detin me gjolin në Porto Romano. Në këtë kanal u instaluan porta automatike në mënyrë që uji i detit të hynte në gjol kur niveli i detit ishte sipër atij të gjolit dhe ndalonte daljen e ujit nga liqeni kur deti ishte i ulët.
Kështu, mushkonjat anofelike u pakësuan së tepërmi në Durrës.
Gropat e Shkozetit dhe moçalishtet e Durrësit u drenazhuan duke u derdhur uji në det ose duke i mbushur gropat me rërën duke i hapur rrugë kështu edhe nismave të para për të bërë plazh në zonën e Durrësit. Dhe pikërisht në këtë periudhë nisin të ndërtohen kabinat e para dhe shtëpitë verore në bregdet,
Elbasan
Në Elbasan shkaktar për krijimin e foleve të mushkonjave malarike ishte lumi Shkumbin dhe sistemi i ujitjes në formë primitive që shkaktonte moçale kudo.
Për të luftuar fenomenin u bë një investim 5 mijë franga ari duke hapur një kanal të ri 733 metra duke përmirësuar qarkullimin e ujit.
Berat
Edhe në Berat shkaqet e malarjes ishin të ngjashme me ato te Elbasanit. Lumi Osum krijonte moçale.
Shkodër
Në Shkodër burimi më i rëndësishëm i mushkonjave malarike ishte moçali i gjerë që shtrihej në pjesën e ulët të liqenit pranë qytetit, sipërfaqja e të cilit në kohë vere bëhej 6 kilometra duke i dhënë shkas që në muajt qershor, korrik e gusht të zhvilloheshin mushkonjat.
Gjatë këtyre muajve në sipërfaqen e ujit hidhej një lloj helmi i posaçëm që vriste larvat e mushkonjave.
Vlorë
Vlora konsiderohej si qyteti me malarik i Shqipërisë. Mushkonjat vinin nga moçalishtet e mëdha që shtriheshin ndërmjet qytetit dhe detit. Seksioni antimalarik u kujdes disa vite që të mbushte me rërë moçalet.
Deri në vitin 1937 u mbushën rreth 50 mijë metër kub rërë në moçale dhe u hapen më shumë se 9 mijë metra kanal.
Eksperimenti në Vaun e Dejës
Referuar botimit “Shqipëria në 1937”, në zonën e Vaut të Dejës u krye në vitin 1935-1936 mbi këtë popullsi të përbërë nga 700 veta, me anën e barnave sintetike gjermane Atebrin dhe Plazmokin, një eksperiment. Krejt popullsisë iu dhanë këto barna çdo katër ditë nga maji deri në nëntor dhe ndër ta u konstatuan vetëm 27 raste me malarie.
Por kjo metodë rezultoi e kushtueshme shumë dhe nga ana tjetër, suksesi i kësaj metode varej shumë nga bashkëpunimi i popullsisë, që shpesh nuk rezultonte të ishte efikas.
Pushtimi italian
Një lëvizje të fuqishme për luftën kundër malaries ndërmorën edhe italianët gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1943.
Duke mësuar nga Lufta e Parë Botërore, ku kishin njohur shumë humbje, këtë herë italianët që kishin një prezencë të lartë punëtoresh e ushtarësh në Shqipëri u investuan në luftën e armikut kryesor të shëndetit, mushkonjave.
Italianët në studimin e tyre kishin ndarë 9 zona me aktivitet të lartë malarik dhe parashikonin që të bënin punime intensive për t’i bonifikuar ato e si rrjedhojë për të larguar foletë e mushkonjave malarike.
Punimet e italianëve u zhvilluan kryesisht në Durrës dhe Vlorë dhe parashikohej të nisnin edhe në zonën e Myzeqesë.
Gjatë periudhës së pushtimit, italianët njohin ecurinë e shqiptarëve sëbashku me fondacionin Rockefeller për luftën kundër malaries dhe vijojnë edhe më tej projektin e nisur.
Një nga mjekët shqiptarë të angazhuar që në fillim me fondacionin Rockefeller ishte doktor Anton Ashta, i lindur në Shkodër dhe i diplomuar për mjekësi në Romë. Që në vitin 1922 ai u aktivizua gjerësisht me studime e artikuj ku kërkonte zhdukjen e malarjes si një nga sëmundjet që shkaktonte më shumë vdekje në Shqipëri.
Doktor Ashta kreu edhe një kurs 1 vjeçar në Romë pikërisht për luftën kundër malarjes për t’u rikthyer sërish në Shqipëri për projektin e zhdukjes së malarjes që do ta ndiqte deri në fund, pavarësisht ndryshimeve që ndodhën në ato vite në Shqipëri.
Në të tre periudhat, si në periudhën e mbretërisë, në periudhën e luftës dhe në atë të pasluftës, doktor Ashta do të luante një rol kyç në përballjen me këtë sëmundje.
Menjëherë pas Luftës së dytë Botërore, do të fillonte fushata për zhdukjen e malaries. Në vitin 1945, doktor Ashta u caktua drejtues i seksionit antimalarik pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe për këtë qëllim ai hartoi një plan të detajuar.
UNRRA, programi i Kombeve të Bashkuara për rehabilitim mundësoi për Shqipërinë ushqime, ilaçe dhe ndihmë për luftën kundër malarjes në vitet 1945-1946.
Pjesë e procesit ishte sistemimi i ujërave në rang kombëtar, pastrimi i moçaleve dhe ngritja e një sistemi shëndetësor në rang kombtar. Suksesi më i madh u arrit në vitet ’50 por zhdukja e plotë erdhi në vitin 1967 kur autoritetet deklaruan se nuk kishte më asnjë rast të shfaqur në vend.
PJESA E PARE…
/SCAN/Nga Kreshnik KUÇAJ/