Një pjesë e mirë e vendeve evropiane kanë rikthyer tifozët në stadium, ndërsa një pjesë tjetër janë gati. Mes tifozëve do të ketë një vend po dhe dy jo. Për momentin Italia tha “jo” për tifozët.
Por Evropa është në lëvizje. Franca ishte një nga të parat që ndaloi futbollin, por ishte ndër të parat nga ligat e mëdha që riktheu në përqindje të vogël tifozët. Qëllimi është për një kthim gradual. Evolucioni i virusit do të diktojë kohën dhe numrin e tifozëve në stadiume.
Në pesë ligat më të mëdha europiane situata është kjo: Italia dhe Spanja ende të mbyllura stadiumet; Franca pranon pesë mijë tifozë deri më 30 tetor dhe atëherë do të vendoset për më tej; në Gjermani kërkohet autorizimi i autoriteteve lokale; në Angli, pas provës në Brighton-Chelsea me 2,500 persona, hapi tjetër është 1 tetori kur do të vlerësohet situata.
UEFA do të hapë stadiumin e Budapestit me 30% më 24 Shtator për Superkupën e Europës, Bayern-Sevilla. Për momentin, të gjitha turnetë e tjera, përfshirë Champions League, do të luhen pas dyerve të mbyllura.
Situata në kampionatet e tjera është më e thjeshtë. Nga tetori, Zvicra do të jetë në gjendje të ketë stadiume deri në dy të tretat me tifozë, vetëm në vende me hapësirë të mirë, por jo tifozë miq.
Në Holandë projekti do të vendosë tifozët me një metër e gjysmë distancë, gjë që do të bënte të mundur plotësimin e 15% deri në 35% të vendeve të përgjithshme. Polonia është e ndarë në tre zona “shëndetësore”: në atë të gjelbër lejohet një kapacitet prej 50%, në të verdhën 25%, në atë të kuqe pa tifozë. Austria është më e hapur, e gatshme të pranojë deri në 10 mijë tifozë. Gjithcka do të varet nga kurba e epidemisë.