MENU
klinika

“Ai njeh vetëm gjuhën e parave”!

A duhet t’i ndërpresë Merkel projektet me Putinin?

08.09.2020 - 12:43

Helmimi i opozitarit rus Navalni ka shkaktuar përçarje serioze mes Rusisë dhe Gjermanisë. Në Berlin po kërkohet vendosja e sanksioneve kundër Rusisë, por ka dhe zëra që janë kundër.

Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier, dyshon se sanksionet kundër Rusisë mund të japin rezultatet e duhura në sqarimin e rastit të helmimit të opozitarit rus Aleksej Navalni. Ai tha për televizionin ARD se nuk e di “asnjë rast” që vendet si Rusia të kenë ndryshuar vendimet e veta për shkak të sanksioneve ekonomike. Sanksionet kanë rezultuar madje me “ngurtësimin e qëndrimeve” tek politikanët e vendeve të prekura. “Ne duhet të shpjegojmë çështjen, se çfarë duam të arrijmë me sanksione. A bëhet fjalë vetëm për nevojën që të shikojmë veten në pasqyrë, apo qëllimi është përmirësimi i gjendjes së të drejtave të njeriut?”

Ministri Altmaier sikur edhe kancelarja Merkel megjithatë nuk përjashtojnë mundësinë e sanksioneve kundër Rusisë, sepse kjo do të dobësonte pozitën e tyre. Altmaier mendon se vendimet ndaj Rusisë duhet të merren brenda Bashkimit Evropian. “Rasti Navalni është një sfidë e përbashkët për demokracitë perëndimore”, tha ai.

“Sinjale të qarta”

Në Gjermani po shqyrtohet mundësia që në shenjë kundërshtimi ndaj helmimit të Navalnit të ndërpriten punimet në gazpërçuesin Nord Stream 2. Planifikohet që Gjermania të furnizohet me gaz rus përmes gypave në gjatësi prej 2460 kilometrash. Rreth 2300 kilometra kanë përfunduar deri tani.

“Punimet në Nord Stream 2 duhet të ndërpriten të paktën përkohësisht, nëse Rusia nuk tregon asnjë shenjë bashkëpunimi”, deklaroi së fundit shefi i deputetëve të pative popullore evropiane në Parlamentin Evropian, Manfred Weber. “Këtu bëhet fjalë për një sistem, i cili duket se është i gatshëm që të vrasë njerëz ose t’i helmojë ata, si në rastin Navalni, vetëm për t’ua mbyllur gojën. Evropa nuk mund t’i shikojë këto gjëra duarkryq.” Nevojiten sinjale të qarta. “Presidenti Putin e njeh për fat të keq vetëm gjuhën e pushtetit dhe parave”, mendon Weber.

“Alternativat e këqija”

Kryeministrja e landit Mecklenburg-Vorpommern, ku duhet të përfundojë gazpërçuesi, ka kundërshtuar ndërprerjen e punimeve. Manuela Schwesig tha se Rusia është ajo që duhet të bëjë hapin tjetër për sqarimin e rastit Navalni. Por për revistën “Der Spiegel” theksoi se “ky krim nuk guxon të përdoret për kontestimin e projektit Nord Stream 2.” Ata të cilët angazhohen për ndërperjen e punimeve duket se kanë qenë gjithmonë kundër këtij projekti. E nëse Gjermania heq dorë nga gazi rus, si alternativë mbetet vetëm gazi i nxjerrë me gërmim nga SHBA. “Kjo është një alternativë më e keqe në aspektin ekologjik dhe do të kushtonte më shumë”, thotë Schwesig.

Navalni është transportuar me 22 gusht në spitalin Charité në Berlin, pasi dy ditë më parë është ndjerë keq me shëndet gjatë një fluturimi në Rusi. Në një laborator special të ushtrisë gjermane është konstatuar se kritiku i Kremlinit është helmuar me gazin nervor Noviçok.

Rusia ka hedhur poshtë akuzat për helmimin e Navalnit. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se këto janë “përpjekje absurde” për të kompromentuar udhëheqjen ruse. Navalni ka zbuluar në Rusi të dhënat për skandale të ndryshme korruptive dhe prej vitesh është një prej kundërshtarëve më të njohur të presidentit Putin./DW

Cilët janë 9 gjeneralët e vrarë që nga fillimi i luftës

Vrasja e Kirillov hap edhe një herë “Kutinë e Pandorës”

Analistët “varrosën” planin e Putinit

Rusët “në delir”, do të shpallin fitoren në 2025

Arrestimet, sabotimet dhe shtypja e disidencës

Njësia speciale që “e bën” Rusinë të funksionojë

A mund t’i ulë Putinin dhe Zelensky-n në të njëjtën tryezë

Një muaj para inaugurimit, Trump nis me premtimet