MENU
klinika

"Po mundohem të eci me hapat e tua"

22 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit/ E bija: Të ndjej përditë!

12.09.2020 - 09:44

Përkujtohet sot 22 vjetori i vrasjes së udhëheqësit të protestave anti-komuniste Azem Hajdarit.

Vrasja e bujshme e njeriut që kryesoi lëvizjen studentore të dhjetorit të vitit 1990 ka ngjallur debate vazhdimisht në arenën politike, e ndërsa ka të arrestuar, cilësohet ende si një krim i pazbardhur. Protestat studentore që Hajdari udhëhoqi sollën rrëzimin e diktaturës dhe i hapën rrugë vendosjes së sistemit pluralist dhe themelimit të Partisë Demokratike.

Personalitete politike do të vendosin ashtu si çdo vit lule pranë bustit të tij. Hajdari ka qenë deputet i Kuvendit shqiptar dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes. Më 2 tetor 1998, Hajdarin e nderuan pas vdekjes me titullin “Qytetar Nderi” dhe më 2007 u dekorua me Dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Si vajza, e vogla e tij, Rudina Hajdari ka përkujtuar sot babanë e saj, i cili 22 vite më parë u vra në një atentat.

Me fjalët e ndjera si çdo fëmijë do i shkruante për babanë, por edhe premtimin se do ndjekë rrugën e tij në politkë, Hajdari e ka përkujtuar Azemin, ose siç ajo e quan “njeriu që kurrë nuk e tregtoi lirinë”.

“Babi, 22 vite pa ty pranë fizikisht jane shumë. Por ti je me mua përditë. Je me mua kur zgjohem dhe shpesh e ndiej sikur me thua si dikur pasuria e gjithë botës është në duart e tua kur je njeri i lirë dhe i ndershëm. Je me mua kur luftoj, e ndiej fuqinë tënde që më motivon dhe më shtyn të fitoj.

Je me mua kur takoj mijëra shqiptarë të cilët ende sot mbas 22 vitesh të kujtojnë sikur të kishin takuar dje. Je me mua kur më jep forcën të ndjek rrugën tënde. Rrugën e drejtësisë, rrugën e lirisë, rrugën e jerëzve të lirë. Më ka marrë malli, por të ndiej përditë, sepse mundohem të eci në hapat e tua. Në hapat e një njeriu që kurrë nuk e tregtoi lirinë. Do eci, ta premtoj”, shkruan Hajdari.