Në portalin Konica.al, javën e kaluar ka filluar rubrika e poetëve të huaj që kanë ardhur në shqip nën përkthimin e të madhit Zef Zorba. Përkthime që i janë dhënë eksluzivisht Konica.al nga arkivi i familjes Zorba do të na shoqërojnë në ditët në vijim.
Zef dhe Terezia Zorba
Sot ndalemi në poetin e madh amerikan Robert Frost. Ai ishte shumë i dashur nga Zorba dhe këtë gjë e tregon puna e tij me këtë poet e cila për fat të keq, vijon të jetë e pabotuar. Poezia e zgjedhur për të qenë pjesë e kësaj rubrike është Zjarr e Akull.
Disa thonë që bota do të mbarojë nga zjarri,
disa të tjerë nga akulli.
I nisur nga dëshira që lakmoj,
unë mbahem me ato që pëlqejnë zjarrin.
Po nëse bota do të mbaronte dy herë,
mendoj se njoh në atë shumë urrejtje.
Sa që them se për shkatërrimin, akulli
është gjithashtu i mrekullueshëm
e do të mjaftonte…
Robert Frost lindi me 24 mars të vitit 1874 në San Françisko. Ishte poet dhe dramaturg i njohur dhe i vlerësuar mjaft. Fitoi katër herë çmimin Pulitzer në vitet 1924, 1931, 1937 dhe 1943. Krijimtaria e tij është e njohur, e përkthyer dhe e vlerësuar gjerësisht në botë. Ndërroi jetë në moshën 88 vjeçare në Boston, i rrethuar nga shtatë fëmijët e tij ku vajza e vogël, Elinor Bettina Frost është akoma gjallë.
Në botën shqiptare të letrave, Robert Frost nuk është një personalitet i panjohur. Ka më tepër se 15 studime, punime dhe përkthime që si temë kanë Frostin duke e bërë një ndër shkrimtarët më të njohur të rubrikës së përkthimeve të Zorbës.
Nën përkthimin e Kërpaçit kemi poezinë “Një zog i vogël”, nën përkthimin e Krasniqit poezinë “Ndanë pyllit mbrëmjes me borë” e të tjera.
Duke qenë se Frost vdiq në vitin 1963, Zorba e ka njohur veprën e tij kur ai ishte gjallë, prandaj ajo është një prej atyre me të cilat ai u mor më së shumti.
Shpresojmë që bashkë me këtë poezi të dalë në dritë visari i përkthimeve që Zorba ka realizuar, visar aq i vlefshëm sa rrallë herë mund të jetë punuar prej të tjerë përkthyesve shqiptarë.
/ A.D