Dy mësues, njëri në një shkollë 9-vjeçare në Berat dhe një në fshatin Poshnje në Urë-Vajgurore, rezultojnë “pozitivë” me Covid-19
Tamponët e kryer disa ditë më parë prej dy mësuesve kanë rezultuar “pozitiv”,ndërkohë që ata ishin vetëkarantinuar në banesat e tyre që prej ditës së shtunë,kur edhe kishin shfaqur shenjat e para të infektimit.
Mësuesit janë karantinuar me familjet dhe fëmijët e tyre nuk janë paraqitur dje në shkollë. Një tjetër rast ne Covid-19 është regjistruar brenda ambjenteve të IEPV Berat,ku pas infektimit të përgjegjësit të regjimit të brendshëm të burgut është infektuar një tjetër punonjëse administrate.
Punonjësja është karantinuar që prej ditës së djeshme,ndërkohë që Inspektoriati i Higjenës ka dezinfektuar ambjentet e burgut dhe ka mbyllur përkohësisht disa reparte të brendshme.
Edhe në një fasoneri në Berat,një punonjëse 38-vjeçare është infektuar me Sars-Cov2. Gruaja kishte shfaqur këputje trupore dhe pafuqi në punë dhe për këtë arsye përgjegjësja e saj e ka larguar drejt banesës. Tre ditë pas kësaj punonjësja ka rezultuar e infektuar me Covid-19 dhe kjo ka sjellë mbylljen e përkohshme të repartit ku ajo punonte si dhe karantinimin e disa punonjëseve, kontakte të ngushta dhe të përditshme të të infektuarës.
Burimet zyrtare nga DSHP Berat bëjnë me dije se,po kryhet hetimi epidemiologjik i kontakteve të këtyre 4 rasteve si dhe i 10 rasteve të tjera që kanë rezultuar “pozitiv” dy ditët e fundit, kontakte të rasteve të mëparshme.