MENU
klinika

Trump ngjall shpresat

SHBA/ Shpresë për një paketë të dytë ndihmash

19.09.2020 - 10:58

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ringjalli këtë javë shpresat për një paketë të dytë ndihmash për miliona amerikanë në vështirësi që humbën vendet e punës për shkak të rënies ekonomike nga pandemia, kur u kërkoi ligjvënësve republikanë që të mbështesin një legjislacion për lehtësim ekonomik.

Zoti Trump shprehu mbështetjen të mërkurën për një paketë 1.5 trilionë dollarë, të propozuar nga Grupi dypartiak për Zgjidhjen e Problemeve, me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve. Projekt-ligji parashikon një raund të ri pagesash prej 1,200 dollarësh për individët.

Një raund i ri pagesash ishte përjashtuar nga një plan afro 500 miliardë dollarësh që senatorët republikanë nuk arritën ta miratojnë më herët këtë muaj, pas muajsh negociatash të pasuksesshme për të siguruar ndihmë ekonomike për miliona amerikanë.

Ligji CARES prej 3 trilionë dollarësh, u miratua në mars me marrëveshje nga të dyja palët dhe parashikonte 600 dollarë shtesë në javë për amerikanët që kishin humbur punën, por skadoi në korrik. Mbështetja  e zotit Trump për paketën prej 1.5 trilionë dollarë, mund të rigjallërojë negociatat e ngecura dhe të shërbejë si presion për udhëheqësit demokratë dhe republikanë të Kongresit.