Në një intervistë analisti Lorenc Vangjeli analizon rikthimin e gjuhës së ashpër të presidentit. Pse gjithçka që ndodh midis Ramës dhe Metës nuk është tamam ashtu siç duket në vështrim të parë.
Bashkëjetesa e vështirë në luftë dhe paqja që risjell betejat e radhës, por në mungesë të një lufte finale mes tyre. Sepse në prani dhe mungesë të tyre, janë shqiptarët që ndeshen me njëri tjetrin në emër të tyre, si gladiatorët e MMA-së.
Presidenti Meta foli me tone të ashpra ndaj mazhorancës, duke paralajmëruar Ramën për një “revoltë popullore” dhe daljen e atij vetë në krye të saj, para 25 prillit. Si e komentoni këtë lëvizje të fundit të kreut të shtetit?
Është e njëjta lëvizje, në të njëjtin drejtim, me të njëjtin qëllim, me të njëjtat mjete dhe formë, por me intesitet të shtuar. Ilir Meta nuk e ka fshehur asnjëherë mërinë e tij me kryeministrin në asnjë nga xhepat e kostumit presidencial, të cilin e dizenjoi njëri dhe e veshi tjetri. Ka poste zyrtare të cilët i japin mbartësit të tyre një fizionomi të veçantë. Ka individë që i japin postit ku ndodhen portretin e tyre. Ndaj, për të kuptuar presidentin Meta, duhet të flitet me politikanin Ilir Meta. Njeriun e fortë që reagon fort, lufton ashpër, bie thellë e ngrihet lart në betejat që nis vetë apo ia imponojnë të tjerët, por humbet pothuaj rregullisht në paqe. Në mos për arsyen/arsyet e sotme, nesër do të kishte patjetër një shkak e shkas që titujt e medias të nisnin të gjithë në të njëjtën mënyrë: shpërthen Ilir Meta! Shqipëria ka hyrë në stinën e fundit politike përpara zgjedhjeve të 25 prillit dhe pakkush, si dhe sa Ilir Meta, nuk e kupton klimën dhe frymën me të cilën publiku dhe partitë politike po hyjnë në fushatë. Toni i lartë i Metës dëshmon pikërisht shqetësimin e lartë të tij për opozitën me gjak nordik të Tiranës. Shtatë muaj përpara vijës së finishit për qiramarrjen e pushtetit për katër vjet, opozita nuk ka mundur as të krijojë frymë optimizmi, përveç budallallëqeve të facebook-ut që më së shumti hedhin në rrjet personazhe groteske të saj. E vetmja ofertë e saj është peneli i ngjyer në zi për ta pikturuar ish-piktorin kryeministër si djallin total. Mbas një rrugëtimi prej më gati tre vjet e gjysmë nëpër rrugë, i vetmi stacion ku ka mbërritur opozita është rruga. Dhe ajo duhet të përgatitet të paguajë për ato gafa të frikshme që ka bërë edhe përkundër këshillave të presidentit. Kjo është llogaria që bën Ilir Meta, ky politikan race, që është i aftë të notojë edhe në baltën e Tiranës, por ka problem me pishinën. Duke e menduar opozitën të paaftë të fitojë, atij nuk i mbetet gjë tjetër përveçse të thërrasë popullin në apel. Të njëjtin popull të cilit i kërkon të revoltohet dhe që ai i ka caktuar datën 25 prill për të vendosur. Dhe për më shumë, në llogaritë e tij afatgjata, cilido qoftë rezultati i 25 prillit, Metës i duhet të rillogaritë pozicionin e tij, orientimin dhe rolin në jetën publike të vendit. Ai nuk ka simpati për zotin Basha si kryeministër të mundshëm, apo për Lulin si kryetar partie të mundur disa herë rresht. Ata të dy janë si autobusët e Unazës që udhëtojnë në kahe të kundërta: edhe kur janë përballë, nuk puqen kurrsesi!
Me këto deklarata a po merr Meta rolin e protagonistit të opozitës? E dëmton apo e ndihmon kjo opozitën?
Nëse opozita do të ishte e fortë aq sa e vetëgjykon veten, kur matet qoftë me hijen e mëngjesit, qoftë me ëndrrat e gjumit të drekës apo qoftë edhe me vegimin që jep vera e shumtë në të gdhirë, hapësirat për një president si Meta do të ishin të kufizuara. Meta është realisht fati i opozitës. Ai ka mundur të plotësojë boshllëqet që lëvizja në bosh e opozitës reale nuk ka mundur t’i plotësojë. Në Shqipëri, si në çdo vend tjetër, pushteti nuk është vetëm karrigia apo posti zyrtar. Pushteti moral, pushteti i fjalës, pushteti që vetë individi arrin të sigurojë me përditshmërinë e tij, shpesh janë shumë më shumë të rëndësishme se pushtetet e votuara apo të emëruara. Aq më tepër në kushte opozite. Është fat që dikush të emërohet ministër, deputet apo drejtor diku. Është gjithashtu fat, siç ndodh rëndom në Tiranë, të emërohesh edhe biznesmen i pasur dhe i suksesshëm. Një kryeministër mund të marrë nga rruga cilindo dhe mund t’i japë çdo post që mendon. Në të kundërt, askush nuk mund të emërojë një luftëtar në opozitë. Ky soj qytetari i angazhuar vetëkrijohet, por nuk prodhohet. Shiheni historinë e emrave në Shqipëri dhe do ta kuptoni çfarë keqkuptimi fatal kanë prodhuar njerëzit që kanë pasur mundësi të bëjnë të tilla emërime në Shqipëri. Njerëz të suksesshëm, plot lavdi, para e tangërllëk sa kohë që janë në pushtet, bëhen sh…rrë pule në rërë, sapo partia e tyre del në opozitë. Meta nuk po merr rolin e protagonistit të opozitës. Ai është në rolin e tij jetësor, si një individ që ka provuar gjithçka. Falë fatit që ndihmon vetëm të fortët dhe talentit vetjak nga njëra anë dhe talentit që zakonisht kanë vetëm njerëzit e fortë në politikë, Iliri po interpreton Metën në mënyrën e tij. Në atë mënyrë që kritikët do t’ia quanin ecje në skaj të interpretimit moral e juridik të Kushtetutës, ndërsa përkrahësit do t’ia brohorisnin si favor për opozitën.
Fakti që të dyja palët, Meta dhe Rama po përplasen fort mes tyre, a paralajmëron fundin politik të njërit prej tyre, dhe cili mund të jetë humbësi në këndvështrimin tuaj?
Spektatorët e ngeshëm të politikës, ata që i shohin lajmet e Tiranës si ndeshje MMA-je, Mixed Martial Arts, me një tas kokoshkash përpara, me adresën e google si bibliotekë që u jep përgjigje për çdo pyetje që kanë, mund ta shohin edhe me këtë sy: po ndeshen në një duel për jetë a vdekje, në fund të të cilit, patjetër njërit do t’ia mbledhin copat me lopatë. Nuk është kështu! Nuk është fare kështu! As Rama dhe as Meta nuk janë në gjendje sot të kujtojnë të gjitha betejat dhe aktet e paqes mes tyre. Edhe pse çdo betejë e kanë luftuar si luftë finale, edhe pse çdo çast paqeje u është dukur të dyve si i përjetshëm. Ky nuk është një segment, por një cikël. Nuk është përjashtim, por është rregull. E vetmja gjë që do të ndryshonte apo ndërlikonte fatin e të dyve përballë njëri-tjetrit, nuk gjendet në mekanizmat e sistemit. Në kushtet e sotme ata do të vazhdojnë të jenë aty ku janë, përballë, në krah të njëri-tjetrit apo njëri sipër e tjetri poshtë, deri sa të vendosin vetë të jetë kështu. Vetëm një ndërhyrje nga jashtë, nga drejtësia, mund t’i jepte epërsi fatale njërit mbi fatin e tjetrit. Në të kundërt, në të gjitha rastet, pavarësisht se kush është në opozitë e kush është në pushtet, ata edhe në ditën më të largët mes tyre, janë më pranë se dy vëllezër gjaku. Sepse i bashkon pushteti. Dhe i lejon fati që të hanë kokoshka duke parë gjysmë të përgjumur se si shqiptarët ndeshen në emër të tyre si gladiatorët e MMA-së.