MENU
klinika

Frika e një vale të dytë në Evropë

Ekspertët britanikë: Presim deri në 50 mijë raste në ditë

22.09.2020 - 08:27

Shumë nga shtetet evropiane po rivendosin masa kufizuese për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19.

Kryeministri britanik Boris Johnson nga parlamenti do të bëjë me dije masat e reja që qeveria synon të ndërmarrë.

Niveli i alarmit të Mbretërisë së Bashkuar po rritet në katër pas një paralajmërimi nga eksperti shkencor sipas të cilit nga mesi i muajit tetor mund të ketë 50.000 raste të reja me coronavirus.

“Ndërsa sëmundja përhapet, në të gjitha grupmoshat, ne presim që të kemi shtrime në spital dhe për fat të keq, këto raste do të çojnë në një rritje të numrit të vdekjeve”, tha kryeshkencëtari britanik Patrick Vallance.

Duke nisur nga e enjtja në Mbretërinë e Bashkuar të gjitha baret, klabet e të tjera zona publike do të mbyllen duke nisur nga ora 22:00. Pritet që një ligj i ri të kufizojë edhe shërbimin e ushqimeve dhe pijeve në ambientet e hapura.

Edhe në Francë po rivendosen kufizimet. Lion sikundër Bordeaux dhe Marseilles e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës në zonat pranë shkollave, në stacione, qendra tregtare dhe sportive.

Vizitat në shtëpitë e të moshuarve janë limituar në dy herë në javë dhe në zonën e Rhone nuk lejohen mbledhjet familjare apo me miqtë me më shumë se 10 persona.

Qyteti i Mynihut në Gjermani ka një nga nivelet më të larta të infektuarve në vend dhe tani po lejon të takohen vetëm deri në pesë persona të familjes. Mbajtja e maskës është bërë e detyrueshme në hapësirat publike.

”Shumë njerëz nuk mbajnë maskë. Isha në metro dhe shumë nuk e mbanin një të tillë. Është e pavlefshme në këtë mënyrë”, shprehet një qytetar.