MENU
klinika

Komisioni i Prokurimit Publik rrëzon ankesën

Transparencë rreth tenderit të projektimit të Teatrit Kombëtar?

22.09.2020 - 08:30

Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) rrëzoi ankesën e një bashkimi kompanish, të cilat kishin kërkuar që Bashkia Tiranë të zbardhte procedurën me të cilën vlerësoi ofertat në lidhje me tenderin për studim-projektimin e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Bashkia ndërkohë nuk ka bërë ende publik fituesin e këtij tenderi.

“Gjeokonsult & Co” dhe “Archispace” morën pjesë bashkë në tenderin prej rreth 500 mijë eurosh që Bashkia Tiranë hapi më 14 korrik për projektimin e teatrit. Një muaj më vonë bashkia zhvilloi fazën e dytë të procedurës së tenderimit, ku thuhet se njoftoi edhe kompanitë që morën pjesë.

Dy kompanitë përkatëse u ankuan për skualifikimin e ofertës së tyre. Ata iu drejtuan fillimisht Bashkisë, por kjo nuk e pranoi ankesën dhe më pas në muajin shtator iu drejtuan KPP-së me një kërkesë edhe për zbardhjen e procedurës së ndjekur dhe vlerësimit të ofertave të kompanive të tjera që morën pjesë në garë.

Kompanitë protokolluan ankesën pranë komisionit më 14 shtator, dhe rreth një javë më vonë Komisioni është shprehur se ankesa ka qenë jashtë afateve të parashikuara. Me këtë vendim Bashkia Tiranë lejohet të vijojë procedurat e lidhjes së kontratës me kompaninë fituese, mirëpo ajo ende nuk ka bërë publike se kush ishte oferta që e fitoi garën. Kjo nuk është hera e parë që Bashkia nuk shërben transparencë. Më parë ajo nuk dha informacione rreth diskutimeve me privatët për ndërtimin e teatrit dhe shërbeu detaje vetëm në fund kur u vendos të mos kishte marrëveshje.

Çështja e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar ka trazuar jo pak opinionin publik pasi për dy vite ajo përfshiu politikisht qeverinë dhe Bashkinë Tiranë kundër komunitetit të artistëve, qytetarëve dhe aktivistëve që u angazhuan për mbrojtjen e ndërtesës së projektuar në vitet ’30 nga arkitektë italianë.

Qeveria nxiti fillimisht me një ligj special tjetërsimin e pronës dhe dhënien me partneritet-publik-privat për ndërtimin e saj. Procesi në fjalë hasi në kundërshti nga opozita dhe Presidenti. Bashkia Tiranë angazhohej të ishte koordinatore në konsultimet me artistët dhe qytetarët. Ajo zhvilloi disa takime ndërkohë që të tjerat u bojkotuan pasi artistët kundërshtuan që në fillim idenë dhe projektin e paracaktuar dhe bërë publik nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj të arkitektit danez Bjarke Ingels.

Dy vite më vonë, Bashkia Tiranë deklaroi se ishte tërhequr nga PPP-ja pasi privati nuk kishte marrë përsipër koston e plotë të ndërtimit dhe për këtë ishte vendosur që teatri të ndërtohej me fonde publike.

Veliaj u zotua se për 100-vjetorin e Tiranës qeveria do ta mbështeste projektin për ndërtimin e Teatrit të Ri dhe në fakt kjo e fundit i kaloi në pronësi truallin dhe ndërtesën dhe në më pak se dy javë bashkia vendosi shembjen e tij me një procedurë të miratuar me e-mail.

Prishja e teatrit ndodhi në të gdhirë të 17 majit ndërsa policia ndërhyri dhunshëm duke nxjerrë protestuesit dhe aktivistët që e kishin rivënë në funksion ndërtesën. Aktivistët dhe artistët nisën një fushatë për mbledhjen e firmave duke kërkuar rindërtimin me të njëjtën arkitekturë të ndërtesës, projekt ky i hedhur poshtë nga qëndrimet publike të kryeministrit Rama dhe kryetarit të Bashkisë Veliaj.

Tashmë rreth pesë muaj më vonë, Bashkisë Tiranë i hapet rrugë për të vazhduar më tej me procedurat e ndërtimit të teatrit edhe pse ajo vazhdon të mos shfaqë transparencë për to.

Mbetet e paqartë se si u vendos që projekti të ishte ai i Bjarke Ingels dhe se për çfarë u hap tenderi i ri, ku publikisht Veliaj dhe Rama janë shprehur se projekti danez do të jetë ai që do të zbatohet.