Qeveria do të lehtësojë biznesin e vogël nga barra fiskale. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, Kryeministri Rama tha se prej muajit korrik bizneset e vogla, të cilat kryejnë një xhiro deri në 14 milionë lekë, nuk paguajnë tatimfitim, zero, ndërsa edhe më tutje akoma bizneset e vogla që kryejnë xhiro deri në 10 milionë lekë të rinj, nuk paguajnë as TVSH.
“Kemi ndërmarrë dhe kaluar me mbështetjen e shumicës parlamentare në Kuvend një masë agresive mbështetjeje, unikale në rajonin tonë dhe përkon me zotimin tonë për ta mbështetur fuqimisht çdokënd që krijon punë për vete e familjen dhe për të tjerët dhe që bëhet pjesë e komunitetit të biznesit të vogël”, tha Rama.
Ai sqaroi se si do të përjashtohen nga taksat kategoritë e biznesit të vogël.
“Këtë mbështetje dhe këtë kornizë të aktivitetit biznesi i vogël në Shqipëri e ka si i vetmi komunitet në të gjithë rajonin pa taksa dhe pa TVSH deri në 10 milionë lekë të rinj, pa taksa dhe me TVSH nga 10 deri në 14 milionë lekë të rinj. Është e rëndësishme të kthejmë kokën mbrapa e të kujtohemi se në vitin 2013, 7 vite më parë të gjithë anëtarët e komunitetit të biznesit të vogël paguanin 10% taksë tatimfitimi dhe zhvillonin aktivitet si subjekte të biznesit të vogël me xhiro nga 0-8 milionë rreth 60 mijë tatimpagues. Këto biznese jo vetëm paguanin tatimfitim 10%, por edhe një tatimfitim për pushtetin vendor”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “tatimi i dyfishtë, siç e kemi quajtur në atë kohë që më pas në periudhën tonë filloi të zhbëhej deri sa vijmë në këtë moment që është historik për biznesin e vogël, në këtë moment që është supernxitës për të gjithë ata që kanë një biznes të vogël apo duan të krijojnë punë për veten, familjen apo të tjerët zero taksë, zero TVSH deri në 10 milionë lekë të rinj dhe zero taksë dhe TVSH vetëm nga 10-14 milionë lekë të rinj”.
TAKSIMI
Kreu i qeverisë bëri krahasime mes taksimit të biznesit gjatë qeverisjes së djathtë dhe 7 viteve të së majtës. “Një shifër domethënëse është që shteti, qeveria, i ka marrë biznesit të vogël gjatë viteve 2006 – 2013, 19 miliardë lekë tatime, ndërsa nga 2014-2019 biznesi ka paguar 5.3 miliardë lekë për shtetin”, u shpreh Kryeministri.
“Ky është fakt, këto janë shifra dhe kjo është një pasqyrë e qartë për të kuptuar dallimin e madh mes kësaj shumice dhe kësaj qeverie, jo si një shumicë dhe qeveri që mbështet të pasurit, por si një shumicë dhe qeveri që mbështet fuqimisht në radhë të parë biznesin e vogël dhe atyre që sot bëjnë sikur kanë ardhur nga hëna dhe tregojnë me gisht në drejtim krejt të gabuar”, nënvizoi Rama. Aktualisht, vijoi Kryeministri, sot që flasim janë 93 743 biznese ose 77% e numrit total të bizneseve që paguajnë zero tatim mbi fitimin. “Janë më pas 14% që paguajnë 5% tatim dhe të dyja së bashku këto kategori nga ky moment pas kalimit të ligjit në parlament kanë zero”, tha Rama
PUNËSIMI
Në regjistrin e fundvitit 2019, në Shqipëri figurojnë të regjistruar të punësuar 698 mijë persona. Kështu deklaroi dje Kryeministri Edi Rama.
“Në vitin 2012, ne gjetëm 450 mijë të punësuar në regjistrat e shtetit. Sot, në regjistrin e fundvitit 2019 kishim 698 mijë të punësuar, pra, 55% më shumë të punësuar, të cilët janë të regjistruar, paguajnë kontributet dhe marrin mbrapsht kontribute”, theksoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “patjetër që periudha e pandemisë ka qenë një periudhë tejet e jashtëzakonshme, dhe patjetër në radhë të parë mund të rrafshonte biznesin e vogël, por sot jemi në kushtet kur me shumë frymëmarrje të lehtësuar mund të tregojmë përsëri shifrat dhe të shohim që nuk kemi lënë askënd mbrapa asnjë nga ata, të cilët ishin punonjës të regjistruar në biznesin e vogël”
PANDEMIA
Qeveria shqiptare, në kuadër të dy paketave në ndihmë të biznesit të dëmtuar për shkak të pandemisë COVID-19, ka mbështetur me 7 miliardë lekë për 43 264 mijë biznese. Sipas Kryeministrit Rama, “punonjësit e regjistruar në biznesin e vogël gjatë periudhës së pandemisë i mbështetëm me 7 miliardë lekë për rreth 43 264 biznese dhe plus me pagën direkte 40 mijë lekë të rinj për 172 263 të tjerë, direkt të punësuar”.
Më tej, Kryeministri Rama u shpreh se “në Republikën e Shqipërisë 9% e bizneseve më të pasura nga 100% e bizneseve paguajnë 15% taksë, para 7 viteve paguanin vetëm 10% taksë, ndryshe nga ç’thotë dhe çfarë zhurmon propaganda, ne i kemi taksuar më shumë ata që fitojnë më shumë, ndërkohë që 14% janë tatimpaguesit që do të kenë zero taksë dhe deri më sot kanë paguar 5% nga 10% që paguan dhe 77% janë ata që do të kenë zero taksë dhe zero TVSH”. “Kjo është pasqyra e vërtetë e Shqipërisë që bën biznes sot dhe e raporteve të qeverisë me këtë Shqipëri që bën biznes sot”, tha Rama.