MENU
klinika

Në të kundërt, miratojeni me vota të blera

Listat e hapura/ Deputetët e opozitës parlamentare paralajmërojnë bojkot të Kuvendit

24.09.2020 - 10:59

Deputeti i opozitës parlamentare, Andi Përmeti kërkoi që të miratohet drafti për listat e hapura, në të kundërt tha ai, deputetët opozitarë duhet të bojkotojnë Parlamentin.

“Negociatat me BE-në i hapni çdo vit siç hapni listat. Kurse ju këtu jeni të gjithë frikacakë sepse nuk mund të përballeni me qytetarët. Keni turp të vini dhe t’u kërkoni votën qytetarëve prandaj fshiheni pas listës së Edi Ramës. Edi Rama ka deklaruar se ka 74 vota kur i qahej ambasadores amerikane.

Ta shohin shqiptarët nëse do të përsëritet Dibra dhe Durrësi dhe a do të blihen votat hapura. Myslim të kërkoj të publikosh listën me emrat që kanë kërkuar ndryshimet kushtetuese për lista të hapura, dhe në janë burra dhe gra dhe të bojkotojmë këtë Parlament, ose ta bëjnë vetë me vota të blera dhe të tregojnë çfarë fytyre kanë”, tha Përmeti.

E pyetur për një bojkot të mundshëm të Parlamentit, deputetja Rudina Hajdari tha se duhet bërë gjithçka që të hapen listat e zgjedhësve.

Ajo tha se deputetët e opozitës po përgatisin një draft, i cili në thelbin e vet ka hapjen 100% të listave të deputetëve.

“Jemi të gatshëm të bëjmë çdo lloj sakrifice për ta çuar këtë kauzë kaq të bukur që mbështetet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve. Ftoj të gjithë opozitën parlamentare të nënshkruar këtë propozim, i cili hap listat 100 për qind ku qytetari vendos kush do të jetë fituesi.

Është një draft që ka integrim të të gjithë kërkesave, e mbështetur edhe nga zt.Murrizi. Ajo që është e rëndësishme është që vota e qytetarëve të ketë më shumë peshë se vota e kryetarit. Kemi kërkuar që pragu të hiqet”, tha Hajdari për gazetarët pas seancës.