MENU
klinika

“Do dëmtohet shumë...”

Haradinaj reagon ashpër pas arrestimit të zyrtarëve të lartë

25.09.2020 - 13:28

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati. Edhe pse nuk dihet akoma arsyeja e arrestimit, Haradinaj thotë se publikimi i dosjeve të Tribunalit Special (që e ka bërë OVL-UÇK-ja) ka qenë gabim.

Forcat policore të EULEX-it, pas një aksioni disaorësh, e kanë arrestuar kreun e organizatës së veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati.

Sipas Haradinajt, publikimi i dosjeve dhe tentimi për ta paraqitur Kosovës si penguese të drejtësisë është e gabuar.

Megjithatë, ai thotë nuk ka pasur arsye për operacion dhe bastisje dhe se secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë.

  • Shkrimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

E ritheksoj qëndrimin tim, se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit.

Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë.

Apeloj te organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që të respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ik drejtësisë.

Konsideroj se nuk ka arsye për operacione e bastisje, sepse secili do t’i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë.

Kosova është gjithmonë me ligjin dhe me viktimat, sepse vet ishte viktimë e padrejtësive. Vet UÇK-ja dhe populli i Kosovës kanë argumentuar se gjithmonë janë pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës, dhe të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndryshuar asnjëherë!