Kompanitë po rritin interesin për investime të prodhimit të energjisë nga era, teksa së fundmi një tjetër shoqëri ka depozituar aplikimin pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Kërkesa është bërë nga “Natural Energy System”, ndërsa parashikon ndërtimin e një impianti eolik me kapacitet të instaluar 3MW, në zonën Semanit, në Fier. Aktualisht, në vendin tonë nuk ka asnjë impiant të prodhimit të energjisë nga era, ndërkohë që nevoja për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë është e madhe, për shkak të varësisë nga kushtet hidrike.
Në fakt, Enti Rregullator i Energjisë ka licencuar disa kompani për kryerjen e kësaj veprimtarie, por ndërtimi në terren nuk ka nisur ende. ERE ndërmor edhe një process monitorimin në terren për këtë çështje, por situate e krijuara nga COVID-19 e shtyu për një moment të dytë, çka bën që ende të mos kemi një situatë të qartë se çfarë po ndodh me vonesat në ndërtimin e këtyre impianteve.
Ndërkaq, ERE parashikon që procesi i monitorimit, hartimi i konkluzioneve përkatëse dhe marrja e vendimeve nga ERE pritet të mbyllet përgjatë vitit 2020.
Me përfundimin e këtij monitorimi nga ERE do të vlerësohen në analizë të gjetjeve të monitorimit edhe shtyrja apo jo e afateve për plotësimin e secilës prej kushteve të këtyre licencave nga subjektet respektive.