1 tetori është afati i vendosur nga Kuvendi i Shqipërisë për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kanë të bëjnë me hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Në kushtet kur ka mbetur shumë pak ditë nga ky afat, Komisioni i Ligjeve do të marrë në shqyrtim ditën e sotme të gjitha propozimet që janë bërë deri më tani për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Në këtë seancë të ngjeshur do të diskutohet drafti me propozime i depozituar nga PS që solli jo pak debate mes palëve politike. Në draftin e PS, parashikohet që të hapen listat 100% por formula që kanë propozuar e bën të vështirë ndryshimin e renditjes së kandidatëve nga partia politike.
Ndër të tjera, sot do të shqyrtohet propozimi i deputeti Andi Përmeti që gjithashtu parashikon mbylljen e listave deri në 1/3 e saj.
Edhe pse këmbëngulte që nuk ishte e nevojshme të paraqiste një draft, mbrëmjen e së dielës, opozita e bashkuar hodhi në letër propozimet e saja, ku kërkonte ruajtjen e koalicioneve parazgjedhore si edhe hapjen e listave 100%. Drafti i cili kundërshton 100% propozimet e opozitës, pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Politik.