Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se të gjitha marrëveshjet me Kosovën, të nënshkruara në Bruksel, duhet të zbatohen, por jo “ në përputhje me rregulloret e Kosovës”, sepse sipas tij, “nëse gjithçka shikohet në këtë mënyrë, që të jetë në përputhje me rregulloret e Prishtinës ose Beogradit dhe të mos ndryshohet asgjë”, atëherë “është e pamundur të arrihet ndonjë kompromis”.
Vuçiç tha se në Bruksel nuk është biseduar për zbatimin në bazë të rregulloreve, spese në atë rast, negociatat, sipas tij, nuk do të ishin as të nevojshme.
“Kemi negociuar, sepse jo gjithçka është në përputhje me rregulloret. Mesazhet e Prishtinës shpesh nuk janë të qarta për mua, sepse nuk janë racionale”, tha Vuçiç.
Vuçiç i bëri këto komente duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Beograd nëse është sinjal i mirë deklarata e zëdhënësit të Qeverisë gjermane, Steffen Seibert, se gjithçka që është nënshkruar më 2013 dhe 2015 duhet të realizohet dhe se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet me rregulloret e Prishtinës.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Derisa Kosova thotë se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e Asociacionit, Serbia insiston që të bisedohet për të. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti të hënën se çështja e Asociacionit është një temë tashmë e mbyllur. Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, ditën e hënën, në Bruksel duhej të mbahej një raund i ri i dialogut Kosovë-Serbi, në nivel ekspertësh, por u shty, raportojnë zyrtarët evropianë.