Sot anëtarësia e Partisë Demokratike do të votojë listën e kandidatëve për deputetë të miratuar nga Komisioni i Seleksionimit të Kandidaturave në selinë blu. Partia Demokratike publikoi dje listën e kandidatëve, nga e cila anëtarësia do të skualifikojë ata kandidatë që nuk dëshiron që të shkojnë në fazën tjetër të përzgjedhjes.
Sipas PD-së, pas përfundimit të procesit të konsultimit me anëtarësinë, kandidatët e konfirmuar i nënshtrohen vlerësimit përfundimtar të Komisionit në fazën e tretë. Lista fituese do t’i shkojë Komisionit të Seleksionimit.
Anëtarët e Komisionit votojnë bazuar kryesisht në vlerësimin e performancës politike të kandidatit dhe mundësinë e maksimalizimit të votës. Pas këtij vlerësimi përfundimtar, lista me kandidatët që kalojnë fazën e tretë i dorëzohet për vendimmarrje finale Kryesisë së Partisë Demokratike. Votimi i konsultimit të anëtarësisë ka përfunduar në Qarkun e Kukësit, Dibrës, Gjirokastrës dhe Beratit dhe sot po votohet në Shkodër.
Procesi po ndiqet nga afër nga sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi, dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, sekretari organizativ Sahit Dollapi dhe sekretari i burimeve njerëzore, Ervin Minarolli. “Demokratët e Qarkut të Lezhës do të votojnë të enjten për kandidatët e propozuar nga anëtarësia, të cilët kanë kaluar filtrin paraprak të verifikimit nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve. Më poshtë, emrat sipas degëve të Qarkut Lezhë në procesin që është vlerësuar si një ndër risitë më pozitive në jetën politike të vendit”, thuhet në njoftimin e PD-së.