Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, ka thënë se Rama nuk i do listat e hapura, pasi e di që nuk do i votohet asnjë deputetë. Pasi socialistët votojnë emra të denjë dhe jo kriminelë apo oligarkë.
Meta tha se nuk ka asgjë personale me Ramën, pasi po të ishte personale nuk do bënte koalicion me të në 2013.
“Rama nuk i do listat e hapura se socialistët do votojnë socialistët, nuk do votojnë kriminelët apo oligarkët. Ai me listat e hapura në asnjë qark nuk del deputet. Jo në 4 qarqe, por dhe në 12 qarqe të kandidojë nuk del deputet. Unë s’kam interes të hyj në këtë çështje po s’mund të rri indiferent, se Gjermania ka kohë që thotë se nuk do hapen negociatat po s’u bë kjo po s’u bë ajo, jo ne hapim shampanja. Duhet të marrë fund kjo histori. Dhe nuk kam asgjë personale me Ramën, nuk është personale kjo. Po të ishte personale nuk do kisha bërë kurrë koalicion në 2013, se e di çfarë poshtërsish ka bërë ai. Por mendova për më të mirën e vendit. Mbi të gjitha të bëjë më të mirën për të ndihmuar vendin që të ndahet me kosto sa më të ulët nga kjo rrumpallë qeverisje”.
Më tej, Presidenti u shpreh se nëse shkelet marrëveshja e 5 qershorit, ai nuk do ta pranojë me çdo lloj çmimi.
“Nëse shkelet 5 qershori, përgjegjësia do i mbetet atij apo atyre që do e shkelin. Sepse do e konsideroja atentat kundër të ardhmes europiane dhe demokracisë, dhe përpjekje për të instaluar përfundimishtë një grusht shteti që s’do pranohet me çdo lloj çmimi nga Presidenti. Ne s’mund të lejojmë instalimin e një grusht shteti, do bëhet shembull për gjithë botën. Çdo shqiptar jo vetëm me votë, ja liri a vdekje, dhe me çdo tjetër do të ekzekutojë rivendosjen e rendit kushtetues”, tha Meta.