MENU
klinika

Profeti i paqes dhe e vërteta

Gandi: Pastrimi i shpirtit, kurrë nuk vjen përmes politikës

02.10.2020 - 14:14

        Më 2 tetor 1869, në një familje të kamur indiane, lindi Mohandas Karamchard Gandhi. I njohur si Mahatma ose “Shpirt i Madh”, një emër i atribuuar nga poeti i famshëm bengalez Rabindranath Tagore, Gandi ka qenë absolutisht një nga personazhet më me ndikim të kohës së tij. Nisur edhe nga titulli i autobiografisë: “Historia e përvojave të mia me të vërtetën”, parimi i jetës së tij ishte kërkimi i së vërtetës dhe, veçanërisht, prezantimi kryesor, praktika e antidhunës./Konica.al

“Zoti nuk është e vërteta, por e vërteta është Zot”.

Për ta kuptuar sa më mirë mendimin e Gandit, na duhet të përvetësojmë një qasje holistike, e cila merr në konsideratë kompleksitetin dhe pasurinë e brendshme të realitetit. Në të vërtetë, është e pamundur të veçohet dimensioni politik dhe shoqëror nga dimensioni fetar dhe moral i mendimit gandian. Prova e kësaj është fakti, që Gandi mohoi tezën e Maks Ueber, sipas së cilës “ata që dëshirojnë shëndetin e shpirtit të tyre dhe shpëtimin e shpirtit të të tjerëve, nuk i kërkojnë ato përmes politikës, që ka detyra krejt të ndryshme dhe të tilla që ato mund të zgjidhen vetëm me dhunë”. Megjithëse, kjo tezë është rrënjosur thellësisht në shoqërinë perëndimore, Gandi ka demonstruar se ai mund të heqë dorë nga përdorimi i dhunës, ndërsa përfshihet në vijën e frontit në politikë, duke e ushqyer këtë angazhim falë pasionit të tij fetar.

Në këtë kuptim, siç pohon edhe Giuliano Pontara, një prej ekspertëve kryesorë të mendimit gandian, pasioni fetar i Mahatmës konkretizohet dhe zbulohet plotësisht në lidhje me atë që ai vetë e përcakton si “E vërteta” ose “Zoti”. Nëse nga njëra anë, respekti për “Të vërtetën” përkthehet në një angazhim të zellshëm e të vazhdueshëm, që synon vlerësimin dhe kuptimin në një mënyrë të paanshme, në një situatë konflikti, arsyet e palës tjetër, ndoshta duke iu kundërvënë atyre arsye të tjera, me shpresën e gjenerimit të një dialogu, nga i cili mund të dalë një e vërtetë e pranuar dhe e ndarë nga të gjitha palët e përfshira, nga ana tjetër respekti për “Zotin”, i kuptuar si uniteti i jetës që pulson në univers, përmbyllet në një ushtrim të thjeshtë, por të dredhëruar të dashurisë ose aftësia për të dashur edhe më të ultën e qenieve të gjalla. /Konica.al

Sipas Gandit, kërkimi i së vërtetës nuk mund të ndiqet me armë, pasi dhuna e errëson këtë qëllim. Edhe përballë atyre, që për interesa personale ose privilegje të paligjshme nuk janë të gatshëm të dëgjojnë arsyet e të tjerëve, mundësia e vetme e kundërshtimit është rezistenca jo e dhunshme. Fjala “antidhunë” rrjedh nga sanskrishtja ahimsa, që do të thotë “mos dëmto”, një term që në doktrinën indiane tregon një koncept më të gjerë të mungesës së dhunës. Përdorimi i dhunës nuk është simptomë e mungesës së forcës, por një veprim i guximshëm që buron nga forca e shpirtit.

Rezistenca antidhunë ka të bëjë fare pak, me të ashtuquajturën rezistencë pasive. Për këtë arsye, Gandi vendos të stampojë neologjizmin Satyagraha, një teori etiko-politike që fjalë për fjalë, do të thotë “forca e të vërtetës”, falë së cilës, ai revolucionarizon vetë konceptin e revolucionit, duke zëvendësuar, për shembull, luftën guerile dhe banditizmin me mosbindje civile dhe bojkot të mallrave të huaja.

Në të vërtetë, Mahatma e konsideron të ligjshme mosrespektimin e ligjeve të konsideruara të padrejta. Sidoqoftë, kjo i bën shkelësit që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të vuajnë dënimet e parashikuara për krimet e kryera. Shembulli më goditës, i cili shenjtëroi Satyagraha në nivelin mediatik, përmes ahimsa, është “Marshi i kripës”. Në përgjigje të taksës britanike mbi kripën, që preku shtresat më të varfra shoqërore të Indisë, të cilëve u ishte ndaluar të shisnin produktin në tregje, Gandi organizoi dhe drejtoi atë që do të mbetet një nga protestat më të famshme në histori. Nga 12 marsi deri më 5 prill 1930, Mahatma përshkoi më këmbë më shumë se 300 kilometra, nga Ahmedabad në Dandi, në bregdetin Gujarat dhe drejtoi protestën paqësore në zonat e kriporeve, të drejtuar nga policia angleze. Mijëra njerëz u rrahën nga policia, kurrë nuk reaguan dhe kurrë nuk u tërhoqën. Përballë asaj morie njerëzish të vendosur dhe të palëvizshëm, oficerët e policisë jo vetëm u tronditën, por më vonë, deklaruan se kishin përjetuar një ndjenjë pafuqie të papërshkrueshme, i cila nuk ishte aspak e kënaqur me burgosjen e Gandit dhe më shumë se 60000 përkrahësve të tij.

“Antidhuna, nuk është një veshje që mund ta veshim e ta heqim, sa herë që duam. Ajo banon në zemër dhe duhet të jetë pjesë e pandashme e qenies tonë”.

Në këtë kuptim mendimi gandian bien në kundërshtim me mendimin makiavelian, pasi, sipas Mahatmas, qëllimi nuk justifikon mjetet: mjetet e dhunshme nuk do të prodhojnë kurrë qëllime të mira dhe mjetet e dhunshme nuk do të çojnë kurrë tek e Vërteta. Kërkimi i të vërtetës, nuk përfshin rrugë të shkurtra. Kush dëshiron të shohë të Vërtetën, nuk mund t’i lejojë vetes të largohet nga asnjë aktivitet njerëzor. Feja, morali, përkushtimi shoqëror dhe politik, janë absolutisht të pandashme te Gandi, pasi në secilën prej këtyre dimensioneve zbulohet një nga fytyrat e së Vërtetës, e cila është kundërdhuna, dharma ose “ligji kozmik”, i cili shprehet në të gjitha besimet. Në këtë drejtim, Gandi pohon se “fetë janë rrugë të ndryshme që bashkohen në të njëjtën pikë”. Të gjitha fetë janë të vlefshme, për sa kohë që ato jetojnë në kërkim të së vërtetës. Nga kjo bindje buron përpjekja e tij e vazhdueshme për t’i bërë indianët të kapërcejnë ndarjet e tyre të brendshme, të tilla si: armiqësia midis hinduve dhe myslimanëve, si dhe ëndrra për një Indi të pavarur dhe të bashkuar. Vullneti për t’u bashkuar ishte në fakt, shqetësimi i paepur i Mahatmas, si dhe qëllimi përfundimtar i Satyagraha-s. Një shqetësim dhe një mision i përmbushur me përkushtim dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme, deri në fund të ditëve të tij./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kujtim Gjonaj: Filmat e Kinostudios nuk kanë nevojë për asnjë rishikim

A duhet të transmetohen filmat e diktaturës?


Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!