MENU
klinika

Teatri Skampa Elbasan

Ceremonia e 100-vjetorit!

14.10.2018 - 10:54

Mbrëmje, tapeti i kuq, shampanjë dhe shkëlqimi i qirinjve karakterizuan ceremoninë festive kushtuar 100-vjetorit të krijimit të teatrit Skampa në Elbasan.

Artistë të Elbasanit dhe të ftuar të tjerë, drejtues vendor dhe artëdashës morën pjesë në këtë ceremoni kushtuar rrugëtimit 1 shekullor të teatrit.

Pikërisht në vitin 1918, do të ngjitej në skenë shfaqja e parë, ‘Besa’, nga Abedin Çaushi. Fillimisht me një trupë amatore dhe më pas me një trupë profesioniste.

Aktorë të ndryshëm të teatrit edhe pse kanë vite që japin shfaqje në atë godinë, përsëri ishin të emocionuar duke i dhënë një rëndësi të veçantë këtij evenimenti.

Në teatrin Skampa të Elbasanit ka qenë premierë në datat 12-13 dhe sot, 14 Tetor, ora 19:00, komedia briliante, ‘Volpone’, një komedi që nuk duhet humbur nga të gjithë të apasionuarit për teatrin.

Në vitin 1918, në qytetin e Elbasanit u krijua një shoqatë teatrore nën kryesinë e Thanas Floqit dhe të pjestarëve të tjerë të trupës. Në këtë trupë bënin pjesë arsimtarë, nxënës shkolle dhe intelektualë të asaj kohe.

Kjo trupë solli në skenë më 26 Qershor 1918, shfaqjen e parë teatrale ‘Besa’, e Sami Frashërit. Në vitet 1918-1944, kanë dominuar dramat e Axhiademit dhe komeditë bashkë me dramat Kristo Floqit. Në këtë kohë janë vënë në skenë rreth 40 drama.

Periudha e dytë është e viteve 1944-1962, kur u formua Shtëpia e Krijimtarisë Popullore të Qytetit të Elbasanit. Edhe në këtë kohë ka qenë një trupë amatore, ku mbizotëronin arsimtarët e Elbasanit.

Në këtë periudhë janë vënë në skenë disa shfaqje ku mund të përmendim ‘6 dashnorët’, ‘Një ditë pushimi midis bredhave’ apo ‘Agimi’ i Kolë Jakovës.

Pas vitit 1962 u vu në skenë një trupë profesioniste e cila shfaqjen e parë e dha në 26 Korrik 1963, pra këtë vit ka qenë edhe 55-vjetori i krijimit të teatrit profesionist të Elbasanit.

Shfaqja e parë profesioniste ka qenë ‘Rrethimi i bardhë’ i Naun Priftit. Deri më sot në teatrin Skampa janë vënë në skenë rreth 120 premiera. Gjatë këtyre viteve ky teatër ka kaluar shumë breza ku secili brez ka lënë gjurmët e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN