Ambasada e SHBA ka reaguar pas miratimit të Kodit Zgjedhor sot nga maxhoranca pa konsensusin e opozitës së Bashkuar, pjesë e Këshillit Politik që prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit.
Ambasada amerikane shpreh keqardhjen që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik.
Sipas ambasadës së SHBA, është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme.
“??️ | Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare. Ky lloj angazhimi pozitiv prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore. Nga ajo kohë, kemi bërë të qartë që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik.
Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik. Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së. Është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë pritshmëri e kemi ashtu si populli shqiptar”, deklaron SHBA.