MENU
klinika

Ku do të kandidojë Monika Kryemadhi?

A do të ketë koalicion PD-LSI?

06.10.2020 - 07:13

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi zbuloi në “Ilva Now” zonat e mundshme se ku do kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

Ajo theksoi se do të garojë në ato zona, ku socialistët janë më pak të përfaqësuar. Monika Kryemadhi u shpreh se nuk përjashton faktin që të garojë në Tiranë, Fier, Durrës ose në Elbasan.

Madje, ajo e la të hapur mundësinë që t’i dalë në ballë vetë kryeministrit Edi Rama në qytetin e Durrësit, por kjo mbetet thjesht një kuadër të deklaratave politike të znj. Kryemadhi pasi asgjë nuk është zyrtare nga radhët e LSI-së.

“Listat nuk janë hapur, por i ka mbyllur dhe i ka bunkerizuar Edi Rama. Edi Rama garon për të katërtin ose të pestin. Unë do ta mendoj si në Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan. Aty ku janë socialistët më të papërfaqësuar, aty do të jetë Monika Kryemadhi. Ka kohë, pse jo dhe në Durrës. Ka kohë, do jetë surprizë”, tha Kryemadhi.

Edhe pse nuk e tha qartë se LSI-së do të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 2021, Kryemadhi u shpreh se sot 99% e shqiptarëve janë kundër Ramës.

“Koalicioni është frymë. Logoja e LSI as ka ikur ndonjëherë dhe as nuk do të ikë. Për të gjithë partitë e opozitës standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme, janë standardi kryesor dhe nuk është çështja e listave. Sot shqiptarët duan arsim për fëmijët e tyre, sot shqiptarët duan shërbim shëndetësor. Beteja e LSI-së, opozitës dhe e shqiptarëve nuk ka nevojë për koalicione, sepse janë bashkë kundër Edi Ramës. 99% e tyre sot janë kundër tij”, tha ajo, duke lënë të kuptohet se LSI-ja do të garojë e vetme në zgjedhje”.