Një vit më pas, (thuajse) njëlloj, pa ndryshime qëndrimesh dhe pa zhvendosje të kursit. Vendet perëndimore e kanë shoqëruar fundin e telenovelës zgjedhore në Tiranë, me një qëndrim që shpreh keqardhje, por jo ndëshkim për qeverinë dhe as refuzim të produktit që Edi Rama ka mbrojtur me forcë në këto javë. 5 qershori nuk u shkel, por rregullat duheshin ndryshuar me konsensus – kjo është thelb një fitore politike për qeverinë, ashtu siç është edhe një fitore që ngushëllon, për opozitën.
Pasi kartonat sanksionuan fundin e telenovelës parlamentare të rradhës, diçka bie sërish në sy prej së largu: Prishja e koalicioneve me lista të veçanta fillimisht, e më pas një hapje e ndrojtur e listave, larg asaj që pritej dhe dëshërohej nga shumica e shqiptarëve, nuk e kanë ciflosur pothuajse fare qëndrimin e ndërkombëtarëve ndaj reformës zgjedhore. Ashtu si vjet nuk e ciflosën edhe pas krizës së mandateve dhe protestave kilometrike poshtë zyres së Ramës. Një tregues ky që dëshmon edhe një herë tjetër, nëse ka patur nevojë të verifikohet, se linja e tyre për respektimin e sovranitetit formal të këtij parlamenti e në përgjithësi të institucioneve, ka qenë më e fuqishme se tendenca për të bërë arbitrin në sherrin për listat, kutitë dhe koalicionet zgjedhore.
Pjesa tjetër e asaj që pamë këto javë është një kundërvënie “mur me mur”, një përballje e fjalës së njërës palë, me fjalën e palës tjetër. Sado cinike dhe e akullt që të tingëllojë, arbitrat kanë vendosur për të shkuar në zgjedhje me rregullat që vendosi me kokën e tij kryeministri dhe tashmë kjo është një e vërtetë, në të cilën thërmohet çdo akuzë, pretendim apo propozim i hershëm a i vonë i Bylykbashit dhe të tjerëve.
Fokusimi tek të huajt është një aspekt jo i bukur i krizës politike në Shqipëri. Normale duhet të ishte që rregullat t’i shkruanin shqiptarët dhe t’i zbatonin po shqiptarët. Por meqë as jemi në gjendje të shkruajmë rregulla loje, e aq më pak t’i zbatojmë ato, edhe kësaj rradhe në krye të vendit u ulën ambasadorët. Një ritual i shëmtuar, që anashkalon faktin mëse normal që një reformë elektorale duhej bërë me konsensus dhe që listat duhet të hapeshin prej së vërteti. Ashtu siç edhe treni i koalicioneve e vitit 2008 duhej shbërë, sepse ishte tashmë një plaçkë e vjetër dhe hipokrite që devijonte vullnetin e zgjedhësve.
Me mbylljen në këtë formë të reformës elektorale, rikthehet edhe fuqiplotë, fatal e i pakthyeshëm gabimi historik i opozitës i vitit të shkuar, kur dogji mandatet. Një parlament i lënë në dorën e Ramës ishte dhe është një gomarllëk politik unikal. Çmimin e të cilit opozita po e paguan megjithë kamatën e kripur nga pas. Një Kuvend i balancuar do të kishte prodhuar një reformë krejt të ndryshme nga kjo e sotmja. Ndoshta jo më të mirë, por të dakordësuar. Dhe kjo rrethanë i shtyu edhe një herë më tepër ndërkombëtarët, ashtu si gjatë vitit të shkuar, që të kapen pas institucioneve, më shumë se pas standarteve.
Gabimi trashanik i Bashës gjatë vitit të shkuar ishte se deshi të bënte jo reforma, por përmbysje. Dhe këtë po vazhdon ta paguajë edhe sot, kur ka lënë bosh si pushtetin qëndror, ashtu edhe atë lokal. Votimi i sotëm në parlament është vetëm pasoja e fundit e kësaj rrethane që ka marrë formë qysh vjet, e të cilën nuk e ndryshon dot as Yuri Kim, e as kolegët e saj evropianë në Tiranë.